Arbëri

Akomodohet në Kryeministri “agjenti i AKI-së”, që synoi ta hapte kasafortën e Presidencës

Descriptive Text

Njeriu që ishte prezantuar si agjent i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë tentativës në nëntor për të marrë dokumente top-sekrete në kasafortën e Presidencës, është i punësuar në Zyrën e Kryeministrit. Burime të KOHËS thonë se prezantimi i tij ishte i rrejshëm dhe ai është nga njerëzit e besuar të presidentit Hashim Thaçi.

“Personi në fjalë ka qenë një zyrtar privat i ish-presidentit”, thotë ky burim. “Ky person nuk ka qenë pjesë e inteligjencës, por ka vepruar në kapacitet privat, së bashku me ish-drejtorin, z. Driton Gashi”.

Ish-kreu i AKI-së, Driton Gashi, është sekretar i përgjithshëm i Presidencës, por pas skandalit me kasafortën, është pezulluar nga puna, me vendim të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani. I kontaktuar nga KOHA, ai nuk ka dashur të flasë për këtë rast.

Faton Peci, shef i stafit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, pati thënë se në ditën e dytë pas dorëheqjes së Thaçit, e kishte zënë në flagrancë Gashin dhe një person tjetër që ia kishin prezantuar si agjent të AKI-së, tek përpiqeshin ta hapnin kasafortën me dokumente të klasifikuara. Por, thotë të mos e dijë identitetin e këtij njeriu.

“Ne nuk e dimë identitetin e personit, të cilin Gashi e ka prezantuar si pjesëtar të AKI-së”, thotë Peci. “Është çështje e organeve të hetuesisë të merret me identitetin e tij”.

Njeriu për të cilin burimet thonë të ishte prezantuar si agjent i AKI-së gjatë mësymjes për ta hapur kasafortën, nëpërmjet një konkursi ishte punësuar në njësinë e transportit në Zyrën e Kryeministrit më 18 janar 2011, kohë kjo kur Qeveria drejtohej nga Thaçi.

LEXO EDHE: Burrë e grua në një Konsullatë

Ndërkaq, vetëm tetë ditë pasi në prill të 2016-s Thaçi kishte nisur ta ushtronte detyrën e presidentit, ky person ka pezulluar marrëdhënien e punës në Shërbimin Civil, dhe ishte zyrtar i sigurisë së presidentit.

“I emëruari nga pika 1 e këtij vendimi paguhet nga buxheti i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e firmosur nga Thaçi, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA. “Vendimi hyn në fuqi nga data e nënshkrimit dhe do të zbatohet deri në përfundim të mandatit të presidentit, gjegjësisht deri në një vendim tjetër”.

E, pas dorëheqjes së Thaçit dhe skandalit me kasafortën, është rikthyer në Zyrën e Kryeministrit, e dhënë të cilën e ka konfirmuar Qeveria.

“Më datë 10.11.2020 është rikthyer në Zyrën e Kryeministrit pas përfundimit të pezullimit të dakorduar sipas kërkesës së tij dhe mban pozitën zyrtar administrativ në po të njëjtën zyrë”, thotë Shkelzen Ibrahimi, drejtor i Administratës në Zyrën e Kryeministrit.

KOHA ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit një kontakt të këtij zyrtari e edhe konfirmimin nëse, nëpërmjet Zyrës, disa pyetje mund t’i përcilleshin atij. Por, përgjigjja ka munguar.

Pas skandalit me kasafortën, është liruar nga detyra shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi, e është pezulluar nga puna edhe sekretari i përgjithshëm, Driton Gashi.