4 perditesime
21:25

Gashi: Pakkush do të besonte se “rugovistët” do të bëheshin pjesë e listës së VV-së

Fitim Gashi, gazetar i KOHËS, ka thënë se pakkush do të besonte para dy vitesh po t’i thuhej se politikanë që proklamojnë frymën politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova do të bëheshin pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje në garën për deputetë.

“Pakkush ka pritur që ‘rugovistët’ do të bëheshin pjesë e listës së Vetëvendosjes. Nëse do t’i thoshit dikujt se ‘rugovistët’ do të bëheshin pjesë e kësaj liste, s’do të besonin. Risia kryesore është se ndoshta 14 ‘rugovistë’ (Lista e Vjosa Osmanit), që proklamohen se ndjekin filozofinë e Rugovës, janë pjesë e VV-së. Sigurisht që lideri i VV-së, Albin Kurti, u ka dhënë hapësirë të madhe sepse ndoshta mund të tërheqin vota. Dihet se ndoshta Osmani s’do të mund t’i marrë votat që kishte në LDK, mirëpo ka shtrirje. Në aktivitetet e saj kemi pa se ka goxha aktivistë ku mund të marrë vota”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

21:16

Krasniqi flet për dominimin e listave nga rajonet e liderëve

Besnik Krasniqi ka treguar se si partitë politike po funksionojnë në bazë të “përkatësive rajonale”.

Ai në emisionin Desku në KTV, ka thënë se kjo është e shprehur më shumë te PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma.

“Veç në dhjetëshen e parë, e bëra një analizë të shkurtër, dhe pashë që 3 ose 4 janë nga Drenica, më saktë nga Skenderaj, komunë nga ku kanë ardhur dy liderët e PDK-së deri më tash. Ose e ke edhe një fakt me interesant, disa prej këtyre nga Skenderaj, një ose dy, tash janë banues rezident të Prishtinës dhe ata dërgohen nëpërmjet degës së Prishtinës. Vetë zotëri Enver Hoxhaj që është nga Suhareka delegohet nëpërmjet degës së Prishtinës dhe nëse e bëjmë analizën nga kjo perspektivë, ne i kemi në dhjetëshen e parë pesë kandidatë nga dega e Prishtinës. Më e theksuar se në PDK është te lista e AAK-së, ku nga rajoni i Dukagjinit ku është baza e partisë, kemi tetë kandidatë në dhjetëshen e parë. Është i njëjti fenomen te Nisma, por më pak e shprehur te VV-ja dhe LDK-ja”, ka thënë gazetari i KOHËS, Krasniqi.

21:02

Gashi vlerëson se me përfundimin e zgjedhjeve mbaron debati për përfaqësim gjinor

Gazetari Fitim Gashi ka folur për përfaqësimin e grave në institucione Kuvend, por edhe në institucione.

Ai në emisionin Desku në KTV tha se për këtë ka edhe një ligj, por që nuk zbatohet.

Sipas tij, fajtore janë edhe gratë që nuk e shtyjnë këtë përpara pasi të mbarojnë zgjedhjet, e aq më pak partitë që nuk kanë interes.

“Zakonisht reforma zgjedhore përmendet vetëm kur haset në këto defekte, sa herë që po zgjidhen qeveritë nuk është se po ka vullnet prej partive politike për t'i adresuar këto mangësi edhe në kuptimin e përfaqësimit gjinor. Ekziston një ligj për barazinë gjinore që kërkon që përfaqësimi nëpër institucione, të jetë 50 me 50, por fakti është se ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë dhe partitë nuk kanë pasur vullnet. Dhe faji është prej vetë grave të cilat nuk kanë insistuar që t'i shtyjnë përpara këto politika ose këto agjenda që e rrisin përfaqësimin e tyre dhe që shkojnë përtej kuotës prej 30 për qind sa është për Kuvend”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se viteve të fundit, disa gra deputete nuk janë mbështetur fare në ligjin që u garanton përfaqësimin në Kuvend.

“Shumë gra kanë arritur të futen nëpër lista e në Kuvend, duke mos e shfrytëzuar kuotën, por duke punuar në terren dhe duke i marrë votat në terren në bazë të politikave që i kanë prezantuar”, ka thënë Gashi.

20:39

Krasniqi shpjegon procesin pasi kandidatët të mos certifikohen nga KQZ-ja

Gazetari Besnik Krasniqi ka shpjeguar procesin që i pret kandidatët pasi të mos jenë certifikuar nga KQZ-ja.

Kjo pritet të ndodh me ata kandidatë të dënuar në tri vitet e fundit. Krasniqi, në emisionin Desku në KTV, tha se aktgjykimi i Kushtetueses i përgjithëson të gjitha dhe flet vetëm për dënim të prerë për të gjitha veprat penale.

“Janë disa afate, më 22 janar KQZ-ja e certifikon listën e kandidatëve, secilin kandidat veç e veç/ Kandidatët kanë afat një ditë për të ankimuar në PZAP. PZAP-ja ka 3 ditë të tjera për të njëjtën çështje. Nëse kandidati sërish nuk është i kënaqur, atëherë brenda një ditë duhet të ankohet në Gjykatën Supreme. Supremja i ka 3 ditë kohë për të dhënë vendimin dhe kështu më 31 janar, do të dihet epilogu i gjithë kësaj”, ka thënë gazetari Besnik Krasniqi.

20:28

Ramaj: Partitë dështuan të mbajnë integritetin nëpër lista

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se partitë politike kanë dështuar të mbajnë integritetin në listat e kandidatëve për deputetë. Sipas saj, shifrat e larta të kandidatëve që janë me aktakuza tregon se secila parti ka grupacione të cilat i fut nëpër lista si tendencë për të mbajtur të bashkuar partinë.

Në Deskun e KOHËS, ajo ka renditur disa prej emrave të akuzuar apo të dënuar, nga secila listë e partive që i kanë hyrë garës së 14 shkurtit.

Ka nisur me listën e anëtarëve të Komisionit për verifikim të aplikimeve të veteranëve, që të martën u shpallën të gjithë të pafajshëm. Shumica e tyre janë nga PDK-ja dhe AAK-ja. Nga Vetëvendosje ka përmendur Mimoza Kusari-Lilën, ish-ministren që është e akuzuar për rastin e hidrocentraleve. Në LDK ka përmendur ish-kryetarin e Suharekës Sali Asllanaj. Për AAK-në ka thënë se ka më së shumti kandidatë që janë të akuzuar për korrupsion. Edhe Nisma hyn në mesin e partive me kandidatë për deputetë, e që janë të akuzuar.

“Duket se disa prej tyre janë njerëz që votohen apo kanë ndikim në mbledhjen e votave, por ka edhe të tillë që s’janë provuar se mund të sjellin vota. Në AAK harrova Meliza Haradinaj-Stublla që është në proces të rigjykimit. Është hera e parë që futet në listë e s’ka dëshmi se ajo mund t’i sjellë vota AAK-së. Kur jemi te integriteti, sa ishte duke u diskutuar për amendamentimin e Kodit të Procedurës Penale, ministri Selim Selimi, nga partia e njëjtë si Haradinaj-Stublla, AAK-ja, kishte thënë se po rrisim integritetin në një nivel më të madh se shtetet e rajonit, që vetëm kur të nisin hetimet dhe ka aktvendim për hetime apo aktakuza, të lirohen nga detyra zyrtarët dhe shërbyesit civilë. Megjithatë, një standard i tillë s’po mbahet nga vetë partitë. Secila duket se ka grupacione që shohin si tendencë për ta mbajtur të bashkuar partinë duke i futur në listë edhe pse integriteti i tyre është i cenuar”, ka thënë ajo.