Në orën 18:00 është mbyllur afati për dorëzimin e listave zgjedhore nga subjektet politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Subjektet politike kanë dorëzuar listat, por nuk i kanë zbuluar ato me arsyetimin se duhet të certifikohen nga KQZ-ja.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 14 shkurt.
Sekretari i LDK-së, Arban Abrashi, nuk ka treguar listën e kandidatëve me arsyetimin se presin certifikimin nga KQZ-ja, por ka thënë "se është më e mira e mundshme".
Faton Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë në KQZ.
Në dhjetëshen e parë, ka thënë janë pesë gra dhe pesë burra.
"Listën do ta bëjmë publike shumë shpejt. Janë gjithsej 41 gra në listë, si asnjëherë më parë", tha ai.
Endrit Shala nga Nisma ka njoftuar se lista e plotë e kandidatëve të tyre do publikohet gjatë së dielës. KOHA ka mësuar në numër dy në listën e kandidatëve për deputetë nga Nisma është vëllai i Jakup Krasniqit, Abdyl Krasniqi.
“Ne si Nismë dorëzuan listën e kandidatëve, lista do të publikohet nesër pas certifikimit nga ana e KQZ. Besojmë se lista jonë i premton të ardhme Kosovës dhe e garanton mbrojtjen e asaj që është cenuar, historia e vendit tonë. Listës i prin Fatmir Limaj pastaj të tjerët”, ka thënë ai.
Për çështjen e koalicioneve parazgjedhore, Shala ka deklaruar se partia e tij ka qenë e gatshme mirëpo Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka qenë e gatshme për një gjë të tillë.
Ai ka shtuar se beson që do të jenë befasi e këtyre zgjedhjeve.