Viti 2020 do të hyjë në historinë e shtetësisë së Kosovës si vit me krizën më të rëndë ekonomike që nga paslufta. Parashikimet për rritje prej 4.2 për qind u minuan nga kriza e shkaktuar nga Covid-19.
Pandemia lëkundi ekonomitë e të gjithë globit, duke ndikuar negativisht edhe në ekonominë e brishtë të Kosovës.
Krahas gjendjes së rënduar shëndetësore, Qeveria filloi të zbatojë masa të rrepta të kontrollit, të cilat kanë ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë së vendit. Nga mesi i marsit deri në maj, vendi u bllokua pothuajse totalisht.
Bizneset hasën në vështirësi për të operuar dhe për të ofruar shërbime. Mbyllja në mars u shkaktoi probleme bizneseve që janë partnerë në zinxhirin e furnizimit.
U kërkua “injektim” emergjent financiar për sektorin privat për të shmangur falimentimin e bizneseve. Dëmet në ekonomi u llogaritën të jenë nga 6 deri në 10 milionë euro brenda ditës.
Edhe ekonomia sikurse lufta me virus janë prekur nga kriza politike. Qeveria Kurti sa ishte në detyrë më 30 mars aprovoi një pako emergjente në vlerë 179.6 milionë euro për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve të dëmtuara.
Partitë opozitare këtë pako e kanë konsideruar të pamjaftueshme dhe të vonuar. PDK ka propozuar një pako të saj në vlerë 320 milionë euro.
Por, pakoja emergjente humbi efektet shkaku i vonesave në implementim të saj.
Afro 3 muaj pas ardhjes në pushtet, Qeveria Hoti miratoi Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
Pushtetit iu deshën 5 muaj për ta kaluar Ligjin për Rimëkëmbje ekonomike në Kuvend.
Pas gjashtë dështimesh, në tentimin e shtatë ligji u miratua në lexim të parë. Ndërsa në lexim të dytë pushteti iu nënshtrua kërkesave të PDK-së që të përfshiheshin edhe 4 amendamente të propozuara nga ana e saj.
Miratimi i tij u bë me debat të ashpër në Kuvend. Vetëvendosje akuzoi se përmes këtij ligji po ndihmohen biznese të caktuara.
Qytetarëve iu mundësua që të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti. Vetëm për më pak se një javë mbi gjysma e kontributdhënësve aplikuan për tërheqjen e mjeteve.
Por kjo masë, sipas një analize të Institutit GAP, nuk ndihmon në rritjen e kërkesës agregate siç pretendonte Qeveria, pasi nuk do të përfitojnë ata që kanë nevojë realisht.
Qeveria ende nuk ka të dhëna zyrtare për dëmin e shkaktuar nga pandemia dhe për humbjen e vendeve të punës.
Sipas Agjencisë së Punësimit, vetëm gjatë periudhës janar-shtator u regjistruan 92 mijë punëkërkues më shumë, duke e rritur numrin në mbi 198 mijë punëkërkues.
Papunësia sipas ASK-së deri në fillim të tetorit ishte 27.2 për qind, apo 1.9 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
U shtua numri i familjeve me asistencë sociale për 420 familje, që gjithsej janë 24 mijë e 615 familje.
Ndërsa u rritën remitencat e dërguara nga mërgimtarët. Mbi 796 milionë euro ishte vlera e tyre gjatë këtij viti, apo 12 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Pavarësisht kësaj, Banka Qendrore e Kosovës parasheh që rënia ekonomike të jetë 7.2 për qind. Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paraparë që rënia të jetë deri në 5 për qind, ndërsa Banka Botërore një skenar më të errët për rënie ekonomike deri në 8.8 për qind.
Covid-19 ka ndikuar në zvogëlimin e të hyrave tatimore në ATK për 8.4 për qind. Gjatë periudhës janar-nëntor janë mbledhur 426.6 milionë euro, apo 39 milionë më pak sesa vitin e kaluar. Edhe nga Dogana janë diku rreth 80 milionë euro më pak.
Kjo rënie do të ndikojë që ekonomia të mos këndellet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Pasojat do të ndihen gjatë gjithë vitit. Buxheti do të tkurret, e prioriteti i Qeverisë sërish parashihet të jenë autostradat.