Arbëri

Qeveria e Serbisë i solli për serbët në Kosovë rreth 80 doza të vaksinës anti-COVID

Ani pse institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të sigurojnë ndonjë dozë të vaksinës ndaj COVID-19, komuna e Leposaviqit është e para që e ka filluar vaksinimin. Rreth 80 doza të vaksinës së “Pfizerit”, qeveria e Serbisë i ka sjellë në Kosovë, në komunat e banuara me shumicë serbe.

Zyrtarë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Leposaviq nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por kanë treguar se i kanë pranuar 50 vaksina dhe se të gjithë personat mbi moshën 65 vjeç janë vaksinuar gjatë së premtes.

Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se gjatë së shtunës ka filluar vaksinimi edhe në komunën e Zubin Potokut dhe në Zveçan.

E qytetarët e Mitrovicës kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të reagojnë sa më parë.

E vetëm një ditë pas fillimit të vaksinimit ka reaguar Qeveria e Kosovës. Sipas saj, të dhënat nuk tregojnë se këto vaksina kanë hyrë në rrugë zyrtare, duke paralajmëruar masa.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj nuk ka dashur të komentojë. Komente nuk kanë dashur të japin as zyrtarët e komunës së Mitrovicës së Jugut.

Serbia ka pranuar kontingjentin e parë prej 4.800 vaksinave të “Pfizerit”, duke u bërë ndër vendet e para evropiane që nis me programin e vaksinimit kundër COVID-19.

Kosova ka aplikuar në programin COVAX, i cili u mundëson vendeve të varfra dhe me zhvillim të mesëm të arrijnë te një numër i kufizuar i vaksinave.