Arbëri

Hoti: Jemi favoritë për të fituar në zgjedhje

Foto: Alban Bujari / KOHA

(Kosovapress) - Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, është shprehur i bindur se partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të dalë e para në zgjedhjet që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas tij, LDK-ja është favorite në zgjedhjet e ardhshme.

“Jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6-7 muaj në krye të qeverisë ne jemi favoriti kryesor për të fituar këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendin plotësisht të bllokuar, me sanksione ndërkombëtare. E kemi hapur komplet, e kemi menaxhuar pandeminë në mesin e 3-4 vendeve që e ka menaxhuar më së miri. Unë jam i bindur që jemi favoriti për t’i fituar zgjedhjet, tash kemi përpara për të përgatitur një listë”, ka thënë ai në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtendërtimi 1989-1999”.

Hoti u pyet edhe për 2.1 milionë euro të Thesarit të Shtetit, për çka tha se çështja është duke u hetuar dhe se pret të ketë rezultate së shpejti.

Qeveria Hoti u rrëzua të hënën me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi. Ajo udhëzoi ushtruesen e detyrës së presidentes që të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Vjosa Osmani tashmë ka nisur konsultimet me partitë për caktimin e datës për zgjedhjet e reja.

Pak para Hotit, Lëvizja Vetëvendosje u deklarua e bindur në fitore. Nënkryetari i saj, Besnik Bislimi, publikoi një sondazh me të cilin VV-ja fiton 55 deputetë. Ai tha se me pak angazhim kjo parti mund të arrijë në 60 deputetë. LDK-ja në atë sondazh kishte 18 deputetë.