Arbëri

VV-ja pret të fitojë më shumë se 60 deputetë

Descriptive Text

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka publikuar një sondazh, i cili nxjerr këtë parti fituese të zgjedhjeve të ardhshme me më shumë se 50 për qind të votave. Sipas tij, kjo parti me pak angazhim mund të shkojë në më shumë se 60 deputetë.

Në një postim në Facebook, Bislimi ka thënë se sondazhi nga “UBO Consulting” është kryer javën e shkuar. Sondazhi që ka publikuar ai nxjerr VV-në fituese me 55 deputetë, e ndjekur nga PDK-ja me 19, LDK-ja me 18 e AAK-ja me 8.

Bislimi ka renditur më pas gjashtë variabla sipas të cilit mund të ndikojnë në rezultat final më ndryshe:

  1. Nuk e reflekton fuqinë politike të përkthyer në votë nga ana e diasporës.
  2. Nuk e reflekton ndikimin eventual të iniciativës qytetare të paralajmëruar nga Vjosa Osmani
  3. Nuk e reflekton ndikimin në vota që prodhohet nga suksesi apo dështimi i fushatës zgjedhore (dihet që në zgjedhje, zakonisht PDK e ruan elektoratin sipas sondazheve, VV shënon rritje, kurse LDK gjithnjë ka rezultat më të ulët në zgjedhje se sa në sondazhe).
  4. Nuk reflekton goditjen që i vie subjekteve të koalicionit qeverisës pas shpalljes së qeverisë së tyre si antikushtetuese,
  5. Nuk e reflekton ndikimin pozitiv apo negativ që pritet të ketë në mbështetje secili subjekt politik pasi të bënë publik emrin e kandidatit të tij për kryeministër.
  6. Nuk e reflekton as rritjen e votave për VV-në, falë sulmeve e fyrjeve të porositura dhe sinkronizuara nga pseudoanalistët që vërshojnë studio televizive në kohë fushate.

“Por, ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është që edhe përkundër gjithë këtyre elementeve të listuara më sipër, me vetëm pak më shumë angazhim, VV do ketë më shumë se 60 deputetë në kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Image
Sondazhi i publikuar nga Bislimi

Të hënën, Gjykata Kushtetuese çoi vendin në zgjedhje përmes aktgjykimin për rastin e votës së deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti. VV-ja kishte fituar në zgjedhjet e vitit të shkuar e më pas hyri në koalicion me LDK-në, por u rrëzua nga pushteti pas vetëm 51 ditësh. LDK-ja me AAK-në e Nismën në qershor morën Qeverinë, por që u rrëzua me aktgjykimin e së hënës.

Në një reagim për këtë postim, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se Bislimi është në garë që të shpallet “politikani më qesharak” për vitin 2020.

“Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 55 deputetë në zgjedhjet e ardhshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjithnjë sipas sondazheve. Tash, këtu e kemi një problem matematikor dhe një gënjeshtër të madhe publike, nga Albin Kurti e deri te zyrtari më i vogël na kanë thënë se do t'i marrin 50% të votave. 50% e votuesve gjithnjë sipas Albinit me shokë me trendin aktual të daljes, nuk ja qet 55 deputetë. Andaj, profesorin e nderuar të Ekonomisë e ftoj me mirësjellje që mos ta turpëroj veten më shumë e lë ta bëj matematikën vet, siç po shpresoj kërkon nga vet studentët e tij. Në mes të deklaratës së Albin Kurtit dhe Besnik Bislimit, ekziston një diskrepancë, dikush këtu nuk po e thotë të vërtetën”, ka shkruar ai.