5 perditesime
21:06

Dobroshi-Deva: Rreth 20 euro janë testet e genexpertit që në Kosovë bëhen për 200 euro

Menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, në kuadër të CDF-së, Edona Dobroshi-Deva, në emisionin Desku në KTV ka thënë se testet genexpert që kushtojnë rreth 20 euro në Kosovë po bëhen për 200 euro.

“Testet genexpert poashtu janë shumë të shpejta, por e kanë një aparaturë të veçantë të cilën granti i Fondit Global për Tuberkuloz e ka siguruar para disa vitesh në Kosovë. Sepse ato përdoren edhe për tuberkuloz edhe për HIV, mund të përdoren për disa sëmundje dhe ekzistojnë tri aparatura të tilla në tri qendra në Kosovë: në Prizren, në Pejë dhe në Prishtinë”, ka thënë ajo.

E pyetur se a ka teste apo jo, Dobroshi-Deva ka thënë se testet e genexpert i kemi sjellë ne përmes grantit të Fondit Global, një sasi të kufizuar, mirëpo Kosova ka hyrë në listë për sigurimin e një sasie tjetër në OBSH.

“Sepse këto teste nuk prodhohen për shitje të lirë, janë teste të cilat prodhohen (si donacion), tani për tani në këtë krizë të madhe të sigurimit të testeve”, ka thënë Dobroshi-Deva.

Ajo ka bërë të ditur se përparësia e këtyre testeve qëndron në shpejtësinë e marrjes së rezultatit, që zgjat 30 minuta.

"Për raste emergjente janë shumë të mira. Çmimi është, ne e kemi siguruar diku rreth 20 euro (24 dollarë). Ka qenë ajo afera e testimit 200 e diçka euro me teste të ngjashme", ka thënë ajo. "Inspektorati shëndetësor dhe ai farmaceutik në këtë rast është përgjegjësi që t'i hetojë këto raste dhe të merret me to. Besoj edhe proceset e auditimit më vonë do të tregojnë por, rastin e testeve të genexpertit kemi të bëjmë me sektorin privat, përderisa këto janë siguruar si donacion”.

21:02

Dobroshi-Deva: Deri në fund të vitit pritet të dalin katër vaksina kundër koronavirusit

Menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, në kuadër të CDF-së, Edona Dobroshi-Deva, në emisionin Desku në KTV ka thënë se deri në fund të vitit pritet të jenë të gatshme katër vaksina efektive kundër koronavirusit.

Megjithatë, sipas saj do të ketë mjaft probleme logjistike deri te vaksinimi.

“Vaksina është shpresë po duhet ta kemi parasysh që vaksina nuk shpëton jetë, por vaksinimi shpëton jetë. Edhe vaksinimi është një proces në të cilin ka shumë sfida të logjistikës, do të thotë prej momentit kur vaksina porositet deri në momentin e injektimit është një zinxhir i cili duhet të respektohet”, ka thënë ajo.

Sipas saj deri në fund të vitit pritet të jenë katër vaksina të gatshme.

“Vaksinat të cilat kanë dalë, janë zbuluar në fakt, këto dyja janë dy prej vaksinave prej katër vaksinave që deri në fund të vitit do të shpallen si të gatshme për përdorim sepse në pritje është edhe vaksina e Oxfordit edhe ajo e Johnson & Johnson”, ka thënë Dobroshi-Deva. “Në përgjithësi ka pasur 160 kandidatë vaksina, prej të cilave 44 kanë kaluar procesin përfundimtar të hulumtimit në njerëz, fazën e tretë. Kjo e Pfizerit ishte e para dhe e Modernes dje ishte lajm i jashtëzakonshëm. Në përgjithësi të katërtat që do të dalin deri në fund të vitit e kanë një metodologji të përpunimit. Nuk është se është bërë zbulim nga njëri sepse janë të ngjashme”.

Dobroshi-Deva ka deklaruar se është e jashtëzakonshme që vaksinat e Pfizerit dhe Modernes kanë efikasitet aq të lartë.

“Cila do të jetë më efikase ajo është çështje tjetër, por sidoqoftë, të jetë efektive një vaksinë në 90 për qind është e jashtëzakonshme. E 95 dje është edhe më e jashtëzakonshme, sidomos kur kjo vaksinë kushtet e ruajtjes i ka shumë më të favorshme se ajo e para”, ka thënë ajo.

20:56

Dobroshi-Deva: Ka teste që e japin rezultatin për 20 minuta, në Kosovë s’e kanë idenë për to

Menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, në kuadër të CDF-së, Edona Dobroshi-Deva, ka thënë se derisa nëpër botë kanë dalë teste rapide për Sars-COV2, që jep rezultate brenda 15-20 minuta, dhe kushtojnë mjaft lirë, në Kosovë nuk ia kanë idenë për to.

Ajo ka shtuar se këto teste mund të jenë shumë të dobishme dhe se është lehtë të sigurohen.

“Së fundi, e që është aprovuar edhe nga OBSH-ja, janë testet e shpejta antigjenike. Teste që nuk i detektojnë antitrupat, por antigjenin e virusit dhe janë duke u prodhuar në masë të madhe, kushtojnë shumë lirë. Bëhen me mostër nazale apo nazo-faringale, që japin rezultate për 15-20 minuta. Teste të lira që kushtojnë rreth 5 dollarë. Janë teste të besueshme të sakta deri 97 për qind dhe e kanë sensitivitetin mbi 80 për qind. Është e lejueshme për përdorim nga agjencitë më të mëdha mjekësore. Në vendin tonë nuk e kanë idenë se sa mund të jenë të dobishme këto teste. Dhe mund të sigurohen, sepse fondi global i ka siguruar rreth 120 milionë teste të tilla për vendet në zhvillim. Shqipëria javën e kaluar i ka porositur rreth 200 mijë, Kosova nuk e ka idenë, nuk i ka të përfshira këto. Mendoj se është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë në rend të parë, e pastaj edhe e Institutit të Shëndetit Publik”, ka thënë Dobroshi-Deva për DESKUN e KOHËS.

Ajo ka shtuar se në histori të mjekësisë nuk ka ndodhur një mobilim kaq i madh financiar, por edhe institucioneve akademike e shkencore në botë, për të krijuar iniciativa me të cilat do të parandalohet, diagnostikohet dhe trajtohet virusi Sars-COV-2.

20:43

Dobroshi-Deva: Remdesiviri të përdoret vetëm në raste urgjente

Menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, në kuadër të CDF-së, Edona Dobroshi-Deva, për DESKUN e KOHËS, ka thënë se ilaçet, si remdesiviri, duhet të përdoren vetëm në raste urgjente, të pacientëve në gjendje të rëndë me COVID-19 dhe të jenë në mbikëqyrje të vazhdueshme.

Ajo ka thënë se një gabim që është bërë në Kosovë është se planet dhe protokollet nuk i ka bërë në periudha të përkohshme më afatshkurtër.

“Një gjë që dua ta theksoj, një gabim tjetër që e ka bërë Kosova në hapa, është se planet dhe protokollet nuk i ka bërë të përkohshme më afatshkurta. Por i ka bërë me afate, ku i fundit shembull është gjashtëmujor. Para një muaji, diku nga mesi i tetorit, OBSH-ja e ka përfunduar një hulumtim që quhet Solidarity Trial, që ka të bëjë me trajtimin e COVIDIT me barnat që realisht nuk janë barna për COVIDIN, por për sëmundje tjera, e që janë përdorur në formë eksperimentale. Solidarity Trial ka ardhur në përfundim që asnjë nga këto nuk janë efikase në ulje të shkallës së vdekshmërisë te personat që vuajnë nga forma të rënda të sëmundjes së COVIDIT e që janë në njësi intensive. Me autorizimin e Shoqatës Evropiane të Profesionistëve të Mjekësisë Intensive, para një jave është tërhequr përdorimi i remdesivirit”, ka thënë Dobroshi-Deva. “Unë jam në dijeni për shumë persona që po e marrin remdesivirin në Kosovë, bile disa prej tyre po e marrim në trajtim shtëpiak, ndonëse nuk janë në forma shumë të rënda të sëmundjes. Por dua t’iu them, remdesivirin e keni në protokollin kroat për trajtimin e sëmundjes në raste të formave të rënda. Aty shkruan decividisht se duhet të jepet vetëm në kushte spitalore dhe atë me mbikëqyrje të vazhdueshme të mjekëve, me matje të shumë e shumë parametrave. Për këtë arsye kroatët nuk e favorizojnë përdorimin e remdesivirit. Por një gjë tjetër që duhet pasur parasysh që se janë barna, që FDA-ja e SHBA-së, i ka aprovuar si barna emergjente për trajtim, e që duhet të përdoren vetëm në raste të hulumtimeve klinike. Në Kosovë bëhet pyetja në çfarë forme janë aprovuar të përdoren edhe favipiraviri edhe remdesiviri, në çfarë kushte e kush është përgjegjës për mbikëqyrjen e këtyre hulumtimeve të them në njerëz, sepse kemi të bëjmë me qenie njerëzore. Mund të ketë sukses të trajtimit, por ai sukses duhet të dëshmohet gjithsesi”.

20:40

Dobroshi-Deva: Mungesa e remdesivirit, çështje që duhet të hetohet

Edona Dobroshi-Deva thotë se nuk është vetëm remdesiviri, bar më të cilin po trajtohen pacientët e prekur me COVID-19 në gjendje të rëndë, që është shtrenjtuar. Sipas saj, është shtrenjtuar edhe paracetamoli.

Dobroshi-Deva në një intervistë në Deskun e KOHËS tha se remdesiviri është bar në listën esenciale dhe duhet të sigurohet nga shteti, bazuar në ligj. Por, meqë kjo nuk ka ndodhur, ajo tha se duhet të hetohet kjo çështje.

“Kemi dy çështje, kemi prekur çështjen e çmimit të trajtimit dhe të ilaçeve, nuk është vetëm remdesiviri, edhe çmimi i paracetamolit është shtrenjtuar, sikurse që janë fryrë edhe çmimet tjera. Me sa kam dijeni, nuk janë fryrë vetëm te ne, por në shumë vende dhe kjo mund të jetë ajo që ka të bëjë me kërkesën tepër të madhe e mundësitë e ofertës janë shumë të vogla. Me sa jam në dijeni remdisivirin e kanë futur në listë të barnave dhe duhet siguruar nga shteti, nuk e di se cilat janë arsyet, sigurisht se janë ato të njëjta me barrierat që ekzistojnë me Ligjin e prokurimit publik, që nuk është aq fleksibil me ilaçet, që i llogarit si tulla. Kjo duhet me qenë edhe çështje hetimi, çështje hetimi edhe nga Inspektorati shëndetësor”, ka thënë ajo.

20:18

Dobroshi-Deva: Përgjegjësia e Qeverisë e madhe, duhet të ofrojë siguri financiare

Menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, në kuadër të CDF-së, Edona Dobroshi-Deva, vlerëson se në krizat e shëndetit publik, çfarë po kalon vendi dhe bota me koronavirusin, kompromiset janë shumë të mëdha.

Por, Dobroshi-Deva e ftuar në emisionin “Desku” të KTV-së, tha se edhe përgjegjësia e shtetit me këtë rast rritet, sidomos në aspektin financiar.

“Flas për Qeverinë, duhet ta ketë të qartë se siguria financiare duhet të jetë aty edhe për ata që punojnë në sektorin e gastronomisë, edhe për ata që janë të papunë, edhe për ata që janë të hospitalizuar dhe kanë nevojë për blerje të barnave, të cilat nuk mund t'i gjejnë edhe pse i kanë të garantuara me ligj”, ka thënë Dobroshi-Deva.

Ajo ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë në menaxhimin e krizës.

Sipas saj, duhet të kihen parasysh edhe sektorët tjerë, jo vetëm një i caktuar.

“Unë e shoh që ka mjaft takime të krerëve të shtetit me shoqatat e gastronomëve, por nuk shoh që ka takime me shoqatat tjera, me shoqërinë civile, e cila është aktive në fushën e shëndetit publik, konkretisht ne që i zbatojmë grantet e shëndetësisë publike në CDF dhe besoj që ka asociacione, shoqata, shoqëri civile që punon me komunitete e që janë shumë të vlefshme për t'u përfshirë në diskutim, në ndihmë me asistencë në terren e të tjera. Edhe koordinimi ka qenë një çështje që fillimisht nisi mirë, po disi u shkëput”, ka vlerësuar ajo.