Arbëri

Profili i Rexhep Selimit

Vrasja e mësuesit, Halit Geci, pashmangshëm lidhet me identitetin e UÇK-së, në përgjithësi e individualisht edhe me një nga themeluesit, Rexhep Selimi.

I shoqëruar nga dy figura tjera të rëndësishme të UÇK-së, Daut Haradinajn e Mujë Krasniqi, Selimi bëri paraqitjen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selimi ka qenë drejtor i Operacioneve pranë Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa me vonë inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë”, pati lexuar Selimi atëkohë.

Këtë muaj bëhen 23 vjet prej kësaj paraqitjeje.

Pas dy dekadave, Selimi është një nga personat e akuzuar për krime lufte.

Paslufta Selimin e bëri me post ekzekutiv. Ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme.

Më pas Selimi sërish i ishte kthyer jetës ushtarake, por në të tjera rrethana.

Në periudhën 2000-2003, ai ka qenë Komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK. Rexhep Selimi bart gradën si Gjeneral Major.

Selimi ishte rreshtuar politikisht në AAK. Njihej në publik si njëri i afërt i vëllezërve Haradinaj. Atëkohë largimi i Selimit me AAK-në ndërlidhej me afrimin e AAK-së me LDK-në, parti me të cilën atëkohë Selimi nuk donte të bashkëpunonte.

Shumë vjet më vonë, kur partia e tij e re Vetëvendosja, bëri koalicion më LDK-në, dikur miku i tij, Daut Haradinaj ia rikujtoi një gjë të tillë.

“I njëjti Rexhep Selimi e ka lëshuar Aleancën pse jemi bërë me LDK-në dhe me Ibrahim Rugovën. Tash nuk e di a ndryshoi LDK-ja apo ndryshojë Rexha. Rexhep Selimi sot është i ulur në përbërjen LDK-së, me pasardhës të Rugovës dhe po ndihet mirë”, kishte thënë Haradinaj.

Vetëvendosja u bë shtëpia tjetër politike e Selimit.

Ai konsiderohej si një nga personat që po e jepte pak imazh çlirimi, partisë e cila ishte shumë kritike ndaj mënyrës se si kishte menaxhuar këto dekada me Kosovën, krahu i luftës.

Selimi në vitin 2010 i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje dhe zgjidhet deputet tri herë radhazi – Legjislaturën IV, V dhe VI, dhe zgjedhjet e fundit. Rexhep Selimi ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.

Nga pozita e deputetit të VV-së, Selimi pati shumë përballje me ish-shokët e luftës.

Ai ishte intervistuar vitin e kaluar nga Gjykata Speciale. Bashkëluftëtarët e tij nëpër studio televizive ngrenë dyshime siç thoshin ata se “Selimi ka kënduar para hetuesve”, duke aluduar se kishte zbuluar informata të ndjeshme për UÇK-në.

“Rexhep Selimi ka këndu para prokurorisë, këtë e ka bë edhe Rrustem Mustafa. S’ka kurrgjë të keqe kjo”, pati thënë ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

Para se të nisej për në Holandë, Selimi mori pjesë në homazhet në përvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit ku tha se do të flasë nga Haga sepse, siç u shpreh, prej atje i shkon zëri më mirë.

Lexo edhe profilet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.