Arbëri

Nis interpelanca e Hotit, VV-ja e pyet për moratoriumin e aplikimit në organizata ndërkombëtare

Ka nisur interpelanca e Kryeministrit Avdullah Hoti, e thirrur nga deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli Dalipi, në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Në javën e kaluar Hoti u ankua se Vetëvendosje ka bërë kërkesë për 5 interpelanca për një temë të njëjtë. Është e vërtetë që kemi thirrur 5 interpelanca por për tema të ndryshme. Z.Hoti i paraqet si çështje të ngjashme në mënyrë që të shmanget nga llogaridhënia me dëmet që ia ka shkaktuar vendit me zotimet në Washington. Për shkak të z.Hoti Kosova u bë me fusnotë të dytë me vullnet të lirë pasi u zotua që do ta respektoj kërkesën e Serbisë për pezullim të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Që të ulet në tavolinë me Serbinë z. Hoti suspendon shtetësinë e Kosovës”, tha Pacolli.

“Kosova është shtet i vogël dhe anëtarësimi në organizata krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj nëpër botë, anëtarësimi në organizata është njohje për Kosovën nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Anëtarësimi i siguron Kosovës të drejtë të votës dhe e bën formalisht të barabartë me vendet të tjera. Por ja që ju keni vendosur t’ia mohoni Kosovës të gjitha këto. Fokusi i shtetit të Kosovës do të duhej të ishte në fuqizimin e pozitës së Kosovës në organizata ku e ka pozitën e anëtares vëzhguese. Një pyetje direkte për z.Hoti si është e mundur që moratoriumi të mos aplikohet për anëtarësim në NATO, UNESCO e organizata të tjera e jo kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e Schengenit. Si është e mundur t’i pezullohet Kosovës e drejta për t’u anëtarësuar në këto organizata dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novisadit. Ju si një proamerikan jeni zotuar që Kosova do të bëhet pjesë e minishengenit iniciativës rajonale të Serbisë. Si proamerikan i thoni po zonës së Novisadit dhe zonës së minishengenit por jo Bashkimit Evropian”, tha tutje Pacolli.