8 perditesime
21:33

Musliu: Janë vetëm 3 prokurorë në Kosovë për hetimin e krimeve të luftës, duhet të ishin 50

Betim Musliu nga IKD-ja në emisionin Desku në KTV ka thënë se nuk kemi veprime ende sot të cilat na çojnë në drejtim të një pune e cila do të zbardhte krimet e luftës në Kosovë.

“Si institut në vazhdimësi kemi avokuar, kemi bërë edhe punime, së fundmi e patëm edhe një pasqyre të asaj çfarë ka ndodhur prej përfundimit të luftës e deri më sot në raport me krimet e luftës”, ka thënë Musliu.

Ai ka theksuar se ende sot në Prokurorinë Speciale i kemi tre prokurorë, që janë në departament për krime lufte për t'i zbardhur të gjitha ato krime të luftës të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

“Pra, shteti jonë, për dallim prej retorikës boshe, duhet të dëshmojë vullnet politik. Qysh përkthehet kjo. Kjo dmth se këtë sistem gjyqësor, prokurorial, këtë polici që e ke duhesh me e mbështet me kapacitetet për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Me i çu atje 300-400 policë që kanë me hetuar çdo send që lidhet me krimet e luftës. Në atë Prokurori Speciale, në departament për krimet e luftës mos me i lënë tre prokurorë se ata vetëm me punë administrative me u marrë s'mund të arrijnë asgjë të bëjnë, janë pak. Duhet me i çu së paku 30, 40, 50 prokurorë edhe me ju dhënë mandat. Me iu thënë për 3-4 vjet ju keni me u marrë vetëm me krime lufte. Njëjtë me vepruar edhe me gjyqtarë. Pra, ky është ai vullneti politik që thjesht ka munguar prej institucioneve tona”, ka thënë Musliu.

Sipas tij duhet të lëshohen fletarreste për të dyshuarit për krime lufte.

“E sot, prej majit 2014, kujt mundemi me ia lanë fajin që s'i kanë trajtuar rastet e krimeve të luftës. Tash, jo por ne i kemi serbët në pjesën e Serbisë dhe janë diku tjetër dhe ne nuk mundemi me i ndjekë dhe me i gjykuar në mungesë. Por, ndjekjen e hetimin t'i mund ta përfundosh, lëshoj t'i 10 mijë fletarreste kundër të gjithë atyre personave të dyshuar për të cilët sot për fat të mirë në një pjesë të rasteve ende i ke dëshmitarë të gjallë që të flasin se qysh ia kanë masakruar vëllain, babën apo këdo prej anëtarëve të familjes ose të afërm”, ka thënë Musliu.

21:31

Shasha: Integrimi i serbëve bëhet me vende të punës dhe arsim kualitativ

Demush Shasha vlerëson se më shumë se krijimi i asociacionit të komunave më shumicë serbe, serbët do i ndihmonte duke u hapur vende të reja të punës, duke u ofruar drejtësi e arsim kualitativ.

Shasha në emisionin Desku tha se e rëndësishme për serbët është që të krijohet një ambient, ku do ta shihnin të ardhmen në Kosovë.

“Ajo çka i integron serbët në Kosovë janë vendet e reja të punës, ajo çka i integron serbët në Kosovë është një drejtësi që është në shërbim të qytetarit, ajo çka i integron ata është një sistem arsimor kualitativ për ata fëmijë që jetojnë në veri të Kosovës. Pra krijimi i një ambienti që këta bashkëqytetarë tanë e shohin të ardhmen në Kosovë. Nuk do të sigurojë integrimin e tyre një strukturë institucionale diku në Prishtinë, në veri apo kudo që është”, ka thënë Shasha.

Ai thotë se nuk është kundër krijimit të një asociacioni sikur ai i Komunave të Kosovës, apo çfarëdo rregullimi që do t’i ndihmonte serbët.

21:17

Musliu: Mungesa e legjitimitetit për Qeverinë po stopon proceset

Betim Musliu nga IKD-ja ka thënë se Qeveria Hoti nuk po mund t’i rrijë mbrapa asnjë vendimi që merr. Sipas tij, për këtë shkaktare është “mungesa e legjitimitetit”.

“Elita jonë politike sot është në një qorrsokak dhe mungesa e legjitimitetit të kësaj qeverie, po e bën thjesht të pafuqishme për të vazhduar një proces në të cilin mund të marrë vendime të cilat mund t’u rrijë mbrapa. Situata e tanishme politike, unë besoj se na ka krijuar një situatë të pafavorshme si Kosovë që të jemi ata që duhet të jemi. S’di cila duhet të jetë zgjidhja sepse pa një legjitimitet të institucioneve dhe pa këtë shumicë që mund t’i shtyjë përpara marrëveshjet për çështjet e rëndësishme sikur ajo me Serbinë, e që duhet të ketë 2/3 e Kuvendit të Kosovës, është pothuajse e pamundshme që të ketë një rezultat pozitiv”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, Kosova e ka pasur të vështirë të marrë vendime edhe kur ka pas ekzekutiv me më shumë vota. Ai ka thënë se tash vendit i duhet legjitimitet i ri.

“Tash për tash nevojitet besoj një legjitimitet i ri, sepse përndryshe ne në këtë situatë s’jemi në gjendje t’iu përgjigjemi edhe disa penaltive që po na krijohen sikurse në rastin e ministrit Daçiq. Sot e kemi Daçiqin një kërcënues të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve që do të zbulonin varreza masive në Serbi të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Sot ende s’kam pa një artikulim të qartë, reagim të fuqishëm që vjen së pari nga Kosova, nga institucionet tona e më pas edhe nga faktori ndërkombëtar, për t’i dhënë një përgjigje asaj që për mua është e papranueshme e shqetësuese, kur po e shohim Daçiqin që po i kërcënon ata që kanë për të zbuluar një realitet për të gjitha ato varreza, krime që janë kryer, për të sjellë më në fund drejtësi për viktimat e krimit në Kosovë. Prandaj në këtë situatë, me këto institucione, zgjidhja është tejet e vështirë dhe është diçka për të cilën nëse s’ka unitet atëherë s’di ku mund të mbërrijmë kur presioni është shumë i madh e ne s’po e dimë rrugën për gjërat e thjeshta”, ka shtuar ai.

21:07

Shasha: Qeveria po merr vendime “ad-hoc”

Qeveria po merr vendime "ad-hoc", sipas presioneve që po i vijnë nga jashtë. Ky është vlerësimi i Demush Shashës nga Instituti EPIC.

Ai në emisionin Desku në KTV tha se qeveria hoqi reciprocitetin për njohje nga Serbia, por tash po i shtohet presioni për krijimin e Asociacionit.

"Nuk ka rrugë të shkurtër, nëse kthehemi vetëm pak muaj prapa, ne thamë po e heqim taksën dhe, po e heqim edhe reciprocitetin, sepse po e bëjmë këtë për njohjen nga Serbia. E hoqëm taksën, e hoqëm reciprocitetin, dhe tash nuk ka njohje, por po thonë bëjeni asociacionin. Pra po bëjmë fizkultura nga vendimi në vendim dhe duke marrë vendime ad-hoc sipas presioneve që vijnë nga jashtë. Prandaj po them nuk ka rrugë të shkurtër në këtë diskutim. Duhet të ulen partitë politike, të definojnë pikat të cilat do t'i negociojnë, t'i definojnë vijat e kuqe dhe të japim përgjigje për secilën çështje", ka thënë Shasha.

21:02

Shasha: Hoti s’mund të hyjë në negociata pa pasur bekiminim e minimum 80 deputetëve

Demush Shasha, nga Instituti EPIK, ka thënë në emisionin Desku të KTV-së se kryeministri Avdullah Hoti s’mund të hyjë në negociata me Serbinë pa mbështetjen e minimum 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij kryeministri Hoti duhet të shkojë para deputetëve dhe të prezantojë kornizën negociuese të Kosovës karshi Serbisë në negociatat e udhëhequra nga BE-ja.

“Ai duhet të prezantojë para deputetëve se cilat janë tetë, dhjetë, dymbëdhjetë pika për të cilat ai do të sigurojë marrëveshje me Serbinë. Ai duhet t'iu shpjegojë deputetëve se cilat janë vijat e kuqe nën të cilat ai nuk do të dakordohet. Këtu përfshihet edhe Asociacioni dhe Hoti duhet të shpjegojë se si do të rregullohet Asociacioni pas vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Shasha. “Tek pasi që merr bekimin e minimum 80 deputetëve kryeministri Hoti mund të hyjë në negociata. Nuk ka negociata pa mbështetje të minimum 2/3 në Kuvendin e Kosovës”.

Ai ka shtuar se çdo rrugë e shkurtë do të na sjellë te një marrëveshje, por ajo marrëveshje nuk do të jetësohet dhe do të na sjellë telashe në vitin 2027 ashtu siç marrëveshja e 2013 po na sjell telashe në vitin 2020.

“Pra, nuk ka rrugë të shkurtë për të arritur te konsensusi politik për temat më të rëndësishme që kemi për të zgjidhur me Serbinë”, tha Shasha.

20:57

Musliu: Për kontrabandë në veri shqiptarët e serbët kanë “vëllazërim-bashkim”

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se shqiptarët dhe serbët në pjesën veriore të vendit kanë “vëllazërim-bashkim” sa i përket veprimtarive kriminale.

Në “Deskun” e KOHËS, Musliu ka thënë se në veri kontrabanda është e pandalshme.

“Edhe në aspektin e sigurisë dhe ndjekjes, praktikisht s’është që po funksionon kontrolli i duhur, që ajo gamë ligjore të zbatohet ashtu siç zbatohet në pjesën tjetër të territorit të Kosovës. Ka një pjesë të madhe të territorit që shërben si oazë e krimit të organizuar ku shqiptarët dhe serbët atje kanë një farë vëllazërim bashkimi dhe veprimtaritë kriminale, kontrabanda, është pothuajse e pandalshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, sfida e madhe mbetet siguria praktike në veri.

“Njerëzit kanë ende frikë që të kalojnë atje. Ende e ke flamurin serb po sa ta kalosh urën e Ibrit dhe natyrisht që edhe në pjesën e energjisë dhe shërbimet tjera ka këso probleme, ku pjesa veriore nuk është ajo pjesë që i nënshtrohet në tërësi zbatimit të ligjit sikur në pjesët tjera të territorit të Kosovës. Sidomos kjo pjesa e faturave të energjisë është ndër pjesët më skandaloze ku barrën e shpenzimeve e paguajmë ne, pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës, pa e pasur as edhe një obligim të vetëm, por që na faturohet në mënyrë të padrejtë.

20:54

Shasha: BE-ja pret një përgjigje nga Kosova rreth obligimit për Asociacionin

Demush Shasha, nga Instituti Epik, në emisionin Desku në KTV ka thënë se Bashkimi Evropian është në pritje të një përgjigje nga Kosova rreth obligimeve që i ka marrë në vitin 2013 dhe 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai e quan anomali çështjen e Asociacionit.

“Kjo është anomalia që na ka ndodhur edhe me demarkacionin. Pra, ke shkuar ke premtuar diçka, je kthyer prapa ke parë se nuk mundesh me nderuar atë obligim, në rastin e demarkacionit ka qenë problem politik, në rastin e Asociacionit është problem edhe politik edhe kushtetues. Kjo është anomali. Pse? Sepse nuk mund të shkosh jashtë shtetit tënd dhe të marrësh obligime të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën tënde ose për të cilën nuk ke legjitimitet politik në Kuvendin tënd”, ka thënë Shasha.

Në këtë drejtim, shton ai, Kosova ka krijuar një problem vetvetiu në vitin 2013 pasojat e së cilit problem i vuan sot.

“Tani BE-ja thotë i keni nënshkruar këto dokumente i keni dhënë këto dakordime, dëshirojmë zgjidhje. Dhe topi është në anën e Kosovës që të tregojë se pas veprimit të Gjykatës Kushtetuese se si Kosova e sheh themelimin e Asociacionit dhe të prezantojë në tavolinë një përgjigje sa i përket kësaj pyetje. Në këtë drejtim BE-ja pret nga ana e Kosovës një përgjigje rreth obligimit të cilin ne e kemi marrë vullnetarisht në vitin 2013 dhe më 2015”, shprehet Shasha.

20:52

Musliu për Gjykatën në Mitrovicë: Ka probleme, por gjithçka bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka treguar se pikat e Marrëveshjes Kosovë – Serbi që kanë të bëjnë me drejtësinë për gjykatat në veri të vendit, janë duke u realizuar plotësisht.

Ai ka thënë se këto kritere për gjykatën dhe prokurorinë në Mitrovicë dallojnë me ato të qyteteve tjera të Kosovës dhe se ka ende probleme, por vlerësohet situatë e mirë bazuar në atë se si ka funksionuar ky rajon në të kaluarën.

Musliu në DESKUN e KOHËS tha se dy pikat e Marrëveshjes për sistemin e drejtësisë, shuarja e strukturave paralele dhe integrimi i personave që kanë punuar në drejtësi, janë zbatuar.

“Në funksionim ka shumë problem, në këtë pjesë të veriut ka pasur një kohë të gjatë që nuk ka pasur fare shtrirje të sovranitetit të Kosovës dhe e dini se që kanë funksionuar strukturat paralele që i kanë përgatitur dhe i kanë ekzekutuar lëndët siç kanë dashur, duke mos njohur fare kurrfarë subjektiviteti të shtetit tonë, në këtë rast një pjesë e madhe e lëndëve që janë bartur, sidomos në lëminë penale, janë lëndë të cilat janë parashkruar në tërësi. Ende nuk e kemi një efikasitet të duhur, por vlen të theksohet se të gjithë këta gjyqtarë, këta prokurorë që janë të inkorporuar në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës si serbë e njohin në tërësi legjislacionin e dhe punojnë nën stemën e Republikës së Kosovës, edhe vula dhe çdo gjë tjetër që lëshohet atje, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Musliu.

20:30

Shasha: Ka përafrim të qëndrimeve SHBA-BE për dialogun

Image

Demush Shasha, drejtor i Institutit të Politikave Evropiane (EPIK), ka thënë se me kalimin e kohës po vërehet një përafrim qëndrimesh mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në “Deskun” e KOHËS, Shasha ka thënë se në një takim të shoqërisë civile me emisarin special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, është përsëritur qëndrimi që një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme, është kriter themelor dhe më i rëndësishmi për avancimin e rrugëve evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

“Në këtë drejtim, BE-ja ka treguar muajve të fundit intensifikim të vullnetit politik për të avancuar dialogun, por jo vetëm BE-ja. Kemi qenë dëshmitarë të rritjes së interesimit edhe nga SHBA-ja. Kemi pa edhe interesimin e dy liderëve të dy vendeve më të mëdha të BE-së, të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron në Francë. Kemi mbërri në një pikë ku ka interesim politik të BE-së për të shtyrë përpara dialogun. Dalëngadalë, nga një situatë ku kemi pas jo koordinim të duhur mes BE-së dhe SHBA-së, kemi mbërri në një stad ku po shohim unifikim çdo ditë e më të madh mes partnerëve transatlantik. Në këtë kontekst, Lajçaku po punon me intensitet të shtuar me liderët e dy vendeve për të arritur tek marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese që zgjidh të gjitha çështjet. Pamë që ka takuar të gjithë liderët institucionalë, por edhe krerë partish e ambasadorin amerikan. Po shohim unitet jo vetëm të spektrit vendor, por edhe të partnerëve kyç për të avancuar dialogun”, është shprehur Shasha.

Sipas tij, Lajçaku ka shprehur interesim që marrëveshja finale të arrihet për një afat kohor prej disa muajve.