7 perditesime

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sa i përket Asociacionit duhet të zbatohet me përpikëri vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimi duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013.

21:39

Osmani: Jemi në diskutim për formimin e një iniciative qytetare me njerëz me integritet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është në proces të ndërtimit të një iniciative qytetare, e cila do të bashkojë njerëzit që kanë integritet e profesionalizëm. Ajo ka thënë se thellë beson që njerëzit më të mirë janë jashtë politikës për momentin.

“Ka pas ndikim të madh, më kanë mbështetur në çdo kohë dhe çdo rrethanë pavarësisht se sa e vështirë ka qenë ajo. Jemi duke diskutuar në ndërtimin e një iniciative qytetare, e cila do të bashkojë njerëzit që kanë integritet dhe profesionalizëm. Këto janë dy kritere të thjeshta. Nuk është se jemi duke parë si opsion të vetëm riciklimin e figurave aktuale publike, sepse thellë besoj se njerëzit më të mirë i kemi jashtë politikës. Njerëzit më të mirë i kemi në sektorin privat, në shoqëri civile, i kemi deri diku në botën akademike, janë njerëz të rinj shumë prej tyre me integritet, ata që duhet ta kenë mundësinë t’u hapen dyert e institucioneve për ta dhënë një kontribut. Të kemi një lloj freskimi me njerëz me integritet e profesionalizëm, brenda institucioneve, në Kuvend e Qeveri e gjetiu. Jemi në këtë proces, por për momentin ende janë faza fillestare e diskutimeve të idesë”, ka deklaruar Osmani për DESKUN në KTV.

21:36

Osmani: S’ka krizë nëse presidentit i konfirmohet aktakuza, jam e gatshme ta marr detyrën

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në emisionin Desku në KTV ka thënë se nuk do të ketë krizë institucionale nëse presidentit i konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale.

Ajo ka thënë se është e gatshme ta kryejë këtë detyrë, deri në zgjedhjen e një presidenti të ri.

“Nëse tërhiqet (presidenti), natyrisht ne nuk e dimë nëse ndodh një gjë e tillë dhe t'iu them shumë sinqerisht as nuk interesohem fare për këtë çështje për shkak se unë kurrë nuk e kam parë Gjykatën Speciale si trup ose mekanizëm i krijuar nga vet Kuvendi i Kosovës si diçka që duhet të shfrytëzohet për të përfituar politikisht ose për t'i mundur politikisht oponentët politikë, përkundrazi kam qenë prej atyre që kam dashur t'i mundim me votë në zgjedhje dhe këtë e kam arritur, prandaj nuk besoj që është e drejtë ta shohim Gjykatën Speciale si një mekanizëm që dikujt i ndihmon politikisht”, ka thënë Osmani.

Sipas saj krizë institucionale nuk krijon fare një gjë e tillë sepse nuk ka vakuum institucional.

“Nuk ka vakuum sepse Kushtetuta e tregon qartë që kryetarja e Kuvendit e zëvendëson deri në momentin kur zgjedhet. Pra, s'ka vakuum institucional përkundrazi vetëm do të ketë performancë më të lartë”, ka thënë Osmani.

Ajo thotë se nuk ka mungesë komunikimi me LDK-në si parti. E përmenda Hotin, por ai nuk është krejt LDK-ja.

Osmani tutje ka shtuar se nuk ka komunikim as me Mustafën kohëve të fundit, porse ka komunikim të shkëlqyer me tërë Grupin Parlamentar të LDK-së.

"Raportet e mia me partitë politike janë shumëfish më të mira dhe më të hapura sesa ato që Thaçi sot i ka me këdo në skenën politike. Nuk kam njohuri se çfarë do të duhej të presim sa i përket zhvillimeve rreth Speciales, por Kushtetuta është e qartë", ka thënë Osmani.

Sipas saj nëse do të imponohej zgjedhja e presidentit edhe për pesë vitet e ardhshme nga humbësit e zgjedhjeve në masë të madhe do të dëmtonte kredibilitetin e institucionit.

"Pastaj kur të vi parlamenti i ri, që mendoj se do të ketë ndryshim tepër të mëdha në konstelacionet se kush është shumica dhe kush mbetet pakicë. Atëherë do të kemi probleme të mëdha në komunikim ndër institucional dhe cilido president që zgjedhet nga humbësit aktual. Edhe te presidenti duhet njëlloj legjitimiteti. Mendoj se duhet ta kesh patjetër atë lidhjen me qytetarët. Matja në zgjedhje është shumë me rëndësi", ka thënë Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se e përkrah idenë që presidenti të zgjidhet direkt nga qytetarët.

21:22

Osmani fton Qeverinë të reflektojë për Projektligjin e rimëkëmbjes

E para e Kuvendit të Kosovës mendon se Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, i votuar në lexim të parë pas shtatë tentimesh, nuk i trajton kërkesat e bizneseve.

Ajo thotë se ka vërejtje të mëdha dhe pret që Qeveria të reflektojë gjatë ditëve në vijim dhe të marrë parasysh vërejtjet dhe të shtojë amandamentet e deputetëve tjerë para se të shkojë për votim të dytë.

Ajo, tha se vota e saj dhe e disa deputetëve tjerë për këtë projektligj është mundësi për qeverinë të reflektojë dhe të mos sillet me, sipas saj, arrogancë.

“Unë e kam votuar pasi kam menduar që në radhë të parë jemi tepër vonë, shumica e shteteve tashmë i kanë kaluar nga tri-katër pako të rimëkëmbjes, e ne ende nuk e kemi një bazike. E dyta, për shkak se është e domosdoshme që bile një hap të bëjmë, që e lehtëson këtë barrë të madhe ekonomike që sot e bartin qytetarët tanë dhe bizneset. Dhe treta, të japim mundësi ndryshimi të asaj pakoje. Natyrisht edhe unë edhe deputetet tjerë do të kontribuojmë nëpërmjet amandamenteve dhe në qoftë se qeveria prapë refuzon me arrogancë që idetë e deputetëve të Kuvendit të injorohen, mos të presë bashkëpunim. Edhe ky votim e dëshmoi një gjë, ky ligj i mori 64 vota, katër nga ato vota kanë qenë deputetë që fare nuk e kanë votuar qeverinë, rrjedhimisht qeveria si qeveri, koalicioni si koalicion akoma i ka 60 vota. Pa ndihmën tonë nuk po kalon asnjë ligj”, tha Osmani.

Ajo tha se Qeveria është dashur të ulet me partitë politike shumë më herët dhe të hartojë një draftligj të përbashkët.

“Në qoftë se dëshirojmë një përkrahje më të madhe, flasim me të gjithë, e jo ta mohosh, ta parandalosh bashkëpunimin me opozitën dhe të vendosësh edhe vendin edhe vetëveten në një pozitë joserioze ku nuk arrin 7 herë me kalu”, shtoi ajo në Interaktiv.

21:01

Osmani: Lajçak ishte ndër zërat më kritik rreth ndryshimit të kufijve

Kryekuvendarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se deklaratat e presidentit për emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, nuk duhet të merren si serioze. Ajo ka thënë se Lajçak duhet të vlerësohet për dy çështje, e para se ka qenë kundër ndryshimit të kufijve, e dyta se ka punuar në Bosnjë dhe e di se nuk duhet lejuar një Asociacion në Kosovë që i ngjan Republika Sërpskas.

“Deklarimet e presidentit nuk do t’i merrja seriozisht, ai një ditë e lavdëron, tjetrën e shanë, prapë e lavdëron. Nuk duhen të merren nga qytetarët e Kosovës si bazë për ta vlerësuar dikë. Është për fat të keq president, por vetëm pse është nuk do të thotë se e ka dëshmuar se duhet marrë dikush seriozisht deklarata e tij. Z. Lajçak e vlerësimi i tij për të është shembull. Para disa muajve e shante tani e vlerëson lartë rolin e tij. Z. Lajçak duhet vlerësuar për dy çështje themelore. Ka qenë ndër zërat më kritik kundër ndryshimit të kufijve, ndoshta kjo është prej arsyeve pse presidenti nuk e ka pasur për qejf. Në kohën kur dy presidentët, ai i Kosovës dhe Serbisë, tentonin të paraqisnin një lloj realiteti si krejt tjetër, gjoja se krejt BE-ja do ta pranojë ndryshimin e kufijve, e presidenti ynë ka thënë diku në media se nëse e pranojmë korrigjimin edhe pesëshja do të na njohë, z. Lajçak ka qenë i pari nga ministrat e Jashtëm të këtyre shteteve që ka thënë se Sllovakia nuk do ta pranojë ndryshimin e kufijve. Sepse kjo do të ketë efekt zinxhiror edhe në rajon e përtej. Ishte ndër zërat kryesor që ka ndikuar në parandalimin e një plani të tillë të rrezikshëm për rajonin tonë. E tjetra ai ka përvojë në Bosnje, e ka parë çfarë nuk funksionon, se çfarë është shkatërrimi i vërtetë i një shteti nëpërmjet eksperimenteve që e kanë pas synimin e mirë të përfundohet lufta e shkatërrimi i krijuar nga lufta në njerëz e ekonomi. Por ajo që e ka ndërtuar e ka bllokuar ecjen para të atij shteti. Ai duke punuar në Bosnjë e di se çfarë nuk duhet lejuar në Kosovë”, ka deklaruar Osmani për DESKUN në KTV.

Ajo ka shtuar se çfarë duhet në Kosovë varet nga ajo që propozon delegacioni i Kosovës.

“Ajo se çfarë duhet është pyetja themelore. Së paku ai e di se nuk duhet ndryshim kufijsh e nuk duhet asociacion që i ngjan Republika Sërpskas. E kur ulemi e diskutojmë atë që duhet, varet nga ajo që propozon delegacioni i Kosovës. Çka ka propozuar delegacioni i Kosovës në Bruksel, ne si Kuvend i Kosovës kemi shumë pikëpyetje. Çështja e të pagjeturve e zhvendosurit i kanë vendosur në një kategori, ne na duhen sqarime si janë ndërlidhë dy çështjet të cilat janë totalisht të ndryshme. Nuk ndërlidhen çështja e të pagjeturve që janë apo mund të jenë diku në varreza në Serbi me çështjen e të zhvendosurve që ka qenë e mbyllur shumë kohë më parë, par a se Kosova ta shpallë pavarësinë. Çështja e kërkesave pronësore ekonomike duhet ta sqarojmë se në bazë cilit parim është bërë kërkesa të tilla. E shumëçka tjetër, këto janë pikëpyetje që mbesin e varen shumë më shumë nga ne sesa nga BE

20:58

Osmani për varrezat masive: BE-ja duhet të ketë veprime konkrete

Vjosa Osmani në emisionin Desku në KTV ka bërë të ditur se sot me Lajçakun kanë diskutuar edhe për çështjen e të pagjeturve.

"Jo vetëm që kam qenë jo vetëm me gjuhën e botë që Bashkimi Evropian ka përdorur në deklaratën e vet, por nuk mjafton thjesht të dënosh deklarimet e zyrtarëve serbë por duhet të kërkohen veprime konkrete në mënyrë që Serbia të zbulojë vendet për ato 16 varreza masive, mund të jenë edhe më shumë", ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se tani ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të flasë edhe me vepra, jo vetëm me deklarata.

"Në raport me Serbinë nuk mund të thuhet që Serbia ka perspektivë evropiane përderisa i fsheh trupat e viktimave nga Kosova. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë. Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë lider i Serbisë që bën krim të dyfishtë duke e fshehur krimin dhe në anën tjetër të quhesh pro evropian", ka thënë ajo.

Osmani ka theksuar se duhet të ketë veprime konkrete nga BE-ja.

"Do të ishte e pafalshme nëse BE-ja vazhdon me hap kapituj të ri për Serbinë, përderisa po dihet në publik që ata po i fshehin të pagjeturit, ose viktimat nga Kosova në varreza masive akoma dhe institucionet aktuale të Serbisë e dinë ku janë ato varreza sepse kanë qenë në pushtet edhe në kohën e Millosheviqit dhe natyrisht i kanë ato informacione. Ka qenë një çështje që e kemi diskutuar në detaje dhe po ashtu kërkesa ime ka qenë që mos të kenë trajtim aq të njëanshëm ku Kosova nuk e ka implementuar vetëm njërën nga dokumentet e nënshkruara në Bruksel, këtë për Asociacionin", ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se Lajçakut ia ka dhënë me shifra dhe me fakte konkrete të gjitha marrëveshjet të cilat nuk i ka zbatuar Serbia dhe për të cilat thuajse kurrë nuk e dëgjojmë BE-në duke folur.

"(BE-ja) i ka këto informata por nuk po veprojnë. Nuk është se atyre iu duhen informata, por atyre iu duhen liderë nga Kosova që ua kërkojnë këtë gjë. Që u thonë se nuk mund të vini te ne dhe të kërkoni që të implementohet Asociacioni përderisa nuk shkoni në Serbi dhe nuk kërkoni me zë shumë më të fuqishëm nga Serbia të implementojë 80 për qind të marrëveshjeve të cilat disa pjesërisht, e disa në tërësi nuk i ka implementuar. Ta zëmë marrëveshjen për IBM, për diplomat, për kadastrin, për energjinë, për urën e Ibrit e shumë e shumë të tjera. Këtë nuk e konsideroj trajtim të barabartë të të dyja palëve që duhet me qenë parim bazik", ka thënë Osmani.

20:43

Osmani: Hoti nuk guxon të sillet në mënyrë arrogante me institucionet tjera

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, vlerësoi se kryeministri Avdullah Hoti nuk guxon të sillet, sipas saj në mënyrë arrogante me institucionet tjera.

Osmani, e ftuar në Interaktiv të KTV-së, tha se është e gatshme të komunikojë me kryeministrin për çdo temë në interes të vendit.

“Kam shprehur gatishmëri ta takoj për dialogun, dhe jo vetëm një herë, por disa herë dhe jo vetëm si kontakt me njëri-tjetrin, por edhe publikisht, dhe jo vetëm për dialogun, por edhe për tema të tjera. Këtë gjë e përsërita në seancën e fundit, sepse mendojë që pavarësisht se mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, nuk është dialogu çështje që ne si institucione të Kosovës guxojmë të lejojmë dallime kaq të mëdha. Ndoshta nuk mund të arrijmë pajtim për 100 për qind të çështjeve, por vetëm për një nëse arrijmë, ia vlen të ketë komunikim institucional. Ajo që ka bërë zoti Hoti është e pafalshme, sepse nuk guxon të sillet në mënyrë aq arrogante me institucionet tjera, por edhe me partitë tjera që për momentin nuk janë pjesë e qeverisë, sepse në fund do të përfundojë me duar në xhepa pa arritur diçka që mund t'i kalojë në Kuvend”, ka thënë Osmani.

Kryekuvendarja ka folur edhe për dialogun që po zhvillohet në Bruksel dhe për rolin që i është dhënë koordinatorit shtetëror, Skender Hyseni. Osmani tha se Hoti tjetër gjë po flet para Kuvendit e tjetër në Bruksel.

“Nuk mund të paraqesë komplet një pikturë tjetër në Bruksel rreth asaj që po ngjan, e komplet tjetër në Kuvendin e Kosovës. Ne i përcjellim ato që i thotë para Parlamentit Evropian, i përcjellim deklaratat e z. Lajçak, i cili në mënyrë transparente tregon çka është diskutuar brenda, kurse z. Hoti del në Kuvend e na thotë që Skender Hyseni nuk ka asnjë kompetencë negociuese, e pas një ore del z. Lajçak dhe thotë se Hyseni ka negociuar në nivel me Marko Gjuriqin. Pra negociatat po ndodhin, edhe në nivel të Hysenit”, ka shtuar ajo.

20:37

Osmani: Asociacioni nënkupton mini-shtet, e destabilizon tërë rajonin

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, në emisionin Desku në KTV ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nënkupton një mini-shtet brenda Kosovës, e kjo sipas saj do të sillte destabilizim për tërë rajonin.

“Jo vetëm me Lajçakun por me çdo përfaqësues të Bashkimit Evropian (e kanë ngritur këtë çështje) që nga koha kur negociohej çështja e Asociacionit e deri më sot. Të kërkosh që të bëjmë hapa prapa, çdo hap të riintegrimit të tyre (pakicave) dhe përfshirjen e tyre në institucione dhe në shoqëri ne e shkelim duke krijuar organe administrative mono-etnike prandaj është në kundërshtim me vlerat dhe parimet themelore të BE-së. Që është një prej arsyeve kryesore që disa prej nesh e kemi refuzuar nga fillimi”, ka thënë Osmani.

Osmani thotë se një Asociacion me kompetenca ekzekutive i sjell probleme edhe vet BE-së.

“Nëse insistohet të formohen trupa të tillë të cilat krijojnë njëfarë mekanizmi paralel të politik bërjes, i ka të gjitha organet e vendimmarrjes me Kuvend, president, me udhëheqës ekzekutiv, pra njëfarë lloj mini-shteti. Kjo vetëm që është në kundërshtim me vlerat evropiane por kjo krijon një problem aq të madh në rajonin tonë, e destabilizon në tërësi jo vetëm Kosovën por edhe më gjerë. Dhe krijon probleme shtesë për BE-në sepse çdo destabilitet në Ballkan nënkupton problem edhe për BE-në”, ka deklaruar ajo.

Ajo shtoi se një çështje të tillë e ka diskutuar edhe në takimin e sotëm me Lajçakun.

“Edhe me Lajçakun e kam thënë që i njeh problemet e Bosnjës. Natyrisht se përgjigja e tij ishte se në asnjë moment nuk synohet një gjë e tillë dhe as nuk insistohet nga BE-ja që të bëhet diçka e tillë në Kosovë”, shprehet Osmani.

Osmani gjithashtu ka kritikuar delegacionin kosovar, duke thënë se nuk është i përgatitur.

“Problemi është i yni, i brendshëm, i delegacionit që na përfaqëson sepse aty nuk mund ta gjesh as përvojën as përgatitjen e as mandatin. Secila Qeveri e mëparshme kanë pas një mandat të marrë nga Kuvendi. Në këtë rast Qeveria Hoti është e vetmja që nuk e ka atë mandat nga Kuvendi. Problemi themelor është mungesa e përgatitjes dhe mos kuptimi i çartë i asaj se çfarë lejohet e çfarë jo”, ka thënë Osmani.

20:35

Osmani: Të respektohet me përpikëri vendimi i Kushtetueses për Asociacionin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sa i përket Asociacionit duhet të zbatohet me përpikëri vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimi duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013.

Ajo thotë se përdorimi i gjuhës së ambiguitetit konstruktiv ka krijuar huti te publiku. Është përdorur ajo gjuhë që secila palë të paraqet para publikut siç thotë.

“Deklarimet e ndryshme nga ana e delegacionit tonë kanë krijuar huti të madhe te qytetarët. Është proces që kërkon transparencë deri në nivel që nuk preket interesi shtetëror. E domosdoshme të jemi sa më të hapur në lidhje me atë që po ndodh. Ajo që u qartësua nga Lajçaku e ka folur edhe publikisht për këtë gjë, është se udhëheqësit e Kosovës e Serbisë vet e kanë dhënë pajtimin që çështja e Asociacionit të negociohet si pjesë e marrëveshjes. Ata ço thonë tani që është e mbyllur pas presionit publik. Por deklarata e Hotit në Parlamentin Evropian e zbuloi se ai kishte dhënë premtim të tillë madje shkoi aq larg sa të premtoj edhe zbatim të dokumentit të nënshkruar më 2015, që qartë Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar. E kuptoj kur Lajçak thotë e keni nënshkruar, por ai e gjithë tjerët duhet të kuptojnë se Gjykata Kushtetuese e ka bërë atë nënshkrim në pjesën më të madhe të saj të pavlefshëm. Nënshkrimi ka ekzistuar më 2015, por në ndërkohë është zhvleftësuar në tërësi nga ana e Gjykatës së Kushtetuese”, ka thënë Osmani për DESKUN në KTV. “Fati i keq i shumicës së marrëveshjeve të Brukselit është se ato kanë përdorë gjuhë të bazuar në parimin e konstruktivitetit dhe ambiguitetit. Ambiguitetit konstruktiv, me qëllim që palët t’i pajtojnë të nënshkruajnë diçka, të përdorin gjuhë aq konfuze sa secila palë mund të dal para publikut e të arsyetoj para publikut të vet dhe ta arsyetoj në mënyrën që ata dëshirojnë. Por krijoi huti e probleme të mëdha në terren. Marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar nga Thaçi e ratifikuar në Kuvend, ka gjuhë për Asociacionin që lë hapësirë për t’u diskutuar më tej, e njëjtë edhe në marrëveshjen e vitit 2015. Por e vitit 2015 nga titulli e tutje pjesa më e madhe të saj është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Gjykatat në fund thotë se Asociacioni duhet krijuar në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 e jo atë të vitit 2015.Na rikthen prapa te ajo që e ka nënshkruar Thaçi. Insistimi i Kosovës duhet të jetë që në përpikëri të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Sepse nuk është opinion që mund ta zgjedhësh, është i detyrueshëm për gjitha institucionet tona. Nëse respektohet në përpikëri ai vendim nuk do të ketë rrezik nga kompetencat ekzekutive apo nga ndonjë Republika Sërpska. Çështja gjithmonë ka qenë te kompetencat. Nëse Qeveria e Kosovës tani pranon të rihap negociatat, ajo nënkupton se do të bëjë kompromise shtesë. Qëndrimi i Republikës së Kosovës duhet të jetë që kjo çështje është përmbyllur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e të jetë busolla jonë sa i përket Asociacionit. Parimi i etnicitetit është shkelur në vitin 2013 dhe 2015, kur thuhet që duhet të jetë monoetnike. I përcaktohet etniciteti. Kur e mbajmë këtë qëndrim nuk lëmë hapësirë të rinegociohen çështjet që janë të mbyllura. Parimi i etnicitetit që është shkelur në vitin 2013 e 2015, kur thuhet se duhet të jetë monoetnik. Secila dispozitë është në kundërshtim me Kushtetutën, edhe pse ka njerëz që mundohen ta kamuflojnë. Gjykatat Kushtetuese ka thënë se nuk mund të jetë një etnik. Parimi i multietnicitetit e bën të domosdoshme që secili organ administrativ që formohet duhet të jetë multietnik. Parimi i etnicitetit e bën të domosdoshme që secili organ që formohet të jetë multietnik".