Sot janë bërë 24 vjet nga Masakra e Belegut. Ofensiva e egër kishte nisur në fund të marsit të vitit 1999 ndaj popullatës së fshatrave Irzniq dhe Beleg.
Kjo pasi një ditë para 29 marsit serbët kishin pësuar humbje në përballje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por ata u hakmorën në civilë.
Në fshat fillimisht kumboi artileria. E, kur serbët hynë në Beleg, ata i ndanë meshkujt nga gratë. I morën edhe të miturit.
Në Beleg ishin vrarë e masakruar 49 shqiptarë. Në këtë ditë Gjyle Vishajt, serbët ia rrëmbyen djalin 14 vjeç, Fatonin. Ia rrëmbyen për të mos ia kthyer më.
“Fatoni i vogël, 14 vjeç, më ka thanë ‘nëna jeme mos em lësho’. Më ka kap. Por djalin me zor ma ka heq prej qafe, e më ka zanë e më ka rreh mu sa ka mujt, e më ka qitë ... Djali shkoi tuj kajt, unë meta me dy fmi tuj kajt. Tuj bërtit”, kishte thënë ajo në një rrëfim për Kohën, vite më parë.
Që nga ajo ditë 33 banorë të fshatit Beleg nuk janë gjetur asnjëherë.