Arbëri

Avdiu: MPB-ja ndërhyri në kompetencat e Policisë në aksionin e Karaçevës

Eksperti i sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në Karaçevë ku u mbyllën lokalet e lojërave të fatit, ka qenë më shumë “debat politik sesa debat për sundimin e ligjit”.

Ai në Raport të KTV-së ka thënë se ligji aktual i PK-së nuk ka nevojë për ndryshime porse problem sipas tij është zbatimi i tij.

Sipas tij, në aksionin në Karaçevë ka pasur ndërhyrje në kompetencat e Policisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Më duket se ka pasë ndërhyrje në kompetencat e policisë nga ana e MPB-së, kur është bë një bujë aq e madhe nga vetë ministri i MPB-së për aksionin në Karaçevë. Policia nuk ka nevojë të marr urdhra nga askush për operacione policore, as nga kryeministri, as ministri. Këtë e garanton ligji i policisë që thotë se policia ka pavarësi në menaxhimin operacional të aksioneve të veta”, tha ai.

Avdiu e quan alarmant numrin e zyrtarëve policorë të cilët u arrestuan në këtë aksion për pjesëmarrje në veprimtari të jashtëligjshme. Ndërsa shton se aksioni vetëm pjesërisht ka qenë i suksesshëm sepse janë loakcione tjera përveç Karaçevës, sipas tij, ku zhvillohen aktivitete të tilla.

“Është shqetësues, alarmant se si një numër i lartë i zyrtarëve policorë janë arrestuar dhe kanë qenë të përfshirë në këto afera dhe në shkelje të ligjit. Ende nuk dihet nëse ka numër tjetër të zyrtarëve në Karaçevë dhe vende të tjera. Aksioni mund të jetë vetëm pjesërisht i suksesshëm sepse duhet të përcillen edhe hallkat e tjera ku ka lojëra dhe të shihet nëse ka zyrtarë policorë tjerë të përfshirë. Unë mendoj se ka, me vetë faktin se ato funksionojnë për më shumë se 1 vit prej kur është miratu ligji”, tha ai.

Avdiu thotë se Policia e Kosovës “nuk duhet të mjaftohet me Karaçevë, por të shihen edhe vatrat e tjera ku ka zhvillim të lojërave të fatit apo kazinove”.

Përgjegjës për zhvillimin e këtyre aktiviteteve të jashtëligjshme, si lojërat e fatit, Avdiu bën vetë personat e përfshirë, policinë, inpektoratin policorë dhe prokurorinë.

Avdiu thotë se zyrtarët policorë të kapur në krim nuk duhet të mjaftohen vetëm me suspendim por “duhet të shkarkohen plotësisht sepse suspendimi është masë e përkohshme që nuk garanton se policia do pastrohet”.

 

 

Posted by RaportKTV on Monday, September 28, 2020