Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja ende s’ka vendim rreth votës së Etem Arifit, deputeti është në arrati

Rasti i votës së kontestuar të deputetit të dënuar, Etem Arifi, ende nuk ka marrë epilog në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit për rastin e ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje tre muaj më parë tha se është ende në procedurë të shqyrtimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë”, është thënë nga Kushtetuesja.

Por gjasat që vota e deputetit Arifi të shpallet antikushtetuese, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, janë minimale.

‘Është pothuajse e pamundur që Gjykata Kushtetuese në njëfarë mënyre t'ia marrë mandatin apo ta shpallë votën e tij kundërkushtetuese, për arsye se në kohën kur aktgjykimi i formës së prerë i deputetit Arifi ka marrë fuqinë, ka qenë legjislatura para kësaj. Që nënkupton se mandati i deputetit Arifi ka qenë në legjislaturën e mëhershme, por jo në këtë aktuale dhe në këtë drejtim i njëjti nuk mund të ketë pasoja juridike lidhur me mandatin e tij si deputet”, ka thënë Miftaraj.

Për shkak të mosparaqitjes në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për vuajtje të dënimit, Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 gusht ka lëshuar urdhërarrest për deputetin Etem Arifi dhe ai është në kërkim nga Policia e Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, Policia nuk ka dhënë detaje për mundësinë e ikjes së Arifit jashtë shtetit të Kosovës, porse ka theksuar se ai është kërkuar disa herë në shtëpinë e tij.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj në të gjitha rastet i ndërmerr konform autorizimeve dhe legjislacionit në fuqi. Po ashtu Policia e Kosovës ka bashkëpunim dhe koordinim të mirë me autoritetet e drejtësisë në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, ku personin në fjalë e ka kërkuar disa herë në adresën e banimit, por ai nuk është takuar”, është thënë nga Zyra për media e Policisë së Kosovës.

Etem Arifi është kryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim dhe është shpallur fajtor në prill të 2018-s nga Gjykata Themelore e Prishtinës për mashtrim me subvencione që kapin shumën mbi 25 mijë euro.

Për këtë vepër ai është dënuar me 1 vit e tre muaj burg efektiv.