Arbëri

LIMAK, kundërligjshëm mban pozitën e koordinatorit të fluturimeve

Udhëheqja e pozitës së koordinatorit të orareve të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, sipas Rregullores mbi rregullat e përbashkëta për alokimin e sloteve në aeroportet e vendosura në Kosovë i takon Ministrisë së Infrastrukturës.

Mirëpo, që nga koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës më 2010, KOHA ka marrë vesh se këtë pozitë e menaxhon konsorciumi “Limak”.

Në nenin 4 të Rregullores së përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës, ndër të tjera, thuhet se ministri cakton një person fizik ose juridik të kualifikuar për këtë pozitë. Dhe ky person që mban këtë pozitë duhet të veprojë në mënyrë neutrale, të jetë i ndarë nga palët e interesit dhe financimi i tij duhet të bëhet në atë mënyrë që të sigurojë status të pavarur.

“Ministri në aeroportin për ndihmë ose koordinim të orareve duhet të sigurojë: (b) pavarësinë e koordinatorit në aeroportin e koordinuar duke e ndarë koordinatorin në mënyrë funksionale nga çdo palë e interesuar. Sistemi i financimit të aktiviteteve të koordinatorit duhet të jetë i tillë që të garanton statusin e pavarur të koordinatorit”, thuhet në rregullore.

Kompania LIMAK në këtë rast bashkë me transportuesit ajrorë janë palë interesi dhe nuk mund të përfshihen në çështjet e koordinimit të orareve apo në kompensimin financiar të punës së koordinatorit.

Sipas juristëve, një gjë e tillë paraqet konflikt.

Anton Nrecaj nga Zyra për Ndihmë Ligjore dhe Zhvillim Rajonal, thotë se të gjitha palët e përfshira në këtë rast duhet të hetohen nga Prokuroria.

“Mbi bazën e kësaj lirisht mund të themi se këtu mund të ketë elemente të korrupsionit, sepse në momentin kur ka konflikt interesi dhe kur kemi qarkullim të mjeteve financiare me vlera të mëdha, atëherë këtu automatikisht kemi elemente të korrupsionit. Konsideroj që Prokuroria e Shtetit, sipas detyrës zyrtare, duhet të iniciojë procedurën e hetimeve lidhur me këtë rast”, ka thënë Nrecaj.

Në pozitën e koordinatorit të orareve qëndron Driton Hyseni, që nga koha kur këtë pozitë e menaxhonte Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, që në kohë të UNMIK-ut quhej Zyra e Rregullatorit të Aviacionit Civil.

Më 2010, kur konsorciumi LIMAK lidhi kontratë me Qeverinë e Kosovës, Hyseni nuk është larguar nga drejtimi i kësaj pozite, veçse e njëjta, sipas burimeve të KOHËS ka kaluar nën udhëheqje të LIMAK-ut, pavarësisht se Ministria e Infrastrukturës nuk do të duhej të lejonte një gjë të tillë.

Në lidhje me këtë çështje Kohavisioni për më shumë se dy javë ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, por ata nuk kanë dashur të deklarohen.

Për pozitën që mban nuk është deklaruar as Driton Hyseni dhe askush tjetër nga Aeroporti i Prishtinës.