2 perditesime
00:03

Bulliqi: PDK-ja është pjesë e Qeverisë Hoti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se partia tjetër opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, është pjesë e Qeverisë Hoti. Sipas tij, mungon vetëm publikimi i një marrëveshjeje të përbashkët.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se PDK-së i ka mbetur vetëm “të dalë formalisht të tregojë se është pjesë e Qeverisë”.

“PDK-ja publikisht s’është pjesë e kësaj qeverie, por në ndarjen e kulaçit është pjesë përbërëse. Analizoni vendimet që janë bërë me buxhetin. Komplet projektet e PDK-së. I kanë kënaqur apetitet e saj. Projektet i kanë bërë bashkë. Shikoni bordet drejtuese. Janë pjesë përbërëse njerëz të PDK-së. Si u fut në Qeveri zyrtarisht si jo, këta janë në qeveri. Më mirë është të dalin publikisht e le të dihet se janë pjesë e Qeverisë. PDK-ja është mirë të dalë edhe formalisht të bëhet pjesë e Qeverisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë tutje se Lëvizja Vetëvendosje refuzon të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në dialog me Serbinë duke shtuar se nuk mund të përkrahin “qeveri jolegjitime”. Bulliqi ka kritikuar koordinatorin për dialog, Skënder Hysenin, duke thënë se ai në “momentet historike ka bërë simbiozë të mirë mes presidentit dhe zhvillimeve e proceseve të ndryshme që janë bërë në vend”.

“VV-ja po angazhohet që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje. Qytetarët janë ata që do të japin verdiktin kush do të qeverisë me vendin. Ajo qeveri që del nga zgjedhjet e lira, i merr kompetencat ta përfaqësojë denjësisht Kosovën në të gjitha zhvillimet që lidhen me Kosovën. Përndryshe në një qeverisje të tillë ku rolin kryesor e luan Beogradi dhe Lista Serbe, dhe të tjera shqiptare që janë më shumë aty për interes.... Ne s’kemi nevojë të bëhemi pjesë e fundosjes që po i kanoset Kosovës si pasojë e një keqqeverisje”, ka shtuar tutje Bulliqi.

23:48

Bulliqi: Rrëzimi i Qeverisë Kurti pamundësoi të merremi me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi

Deputeti i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se qeveria Kurti ka pasur mjaftueshëm material për aktakuzë ndaj palës malazeze lidhur me demarkimin.

Ka thënë se Qeveria Kurti e ka pasur primare çështjen e demarkacionit, por periudha e shkurtër në qeverisje s’ia lejoi.

“Ka qenë çështje parësore por i dini problemet që jemi ballafaquar si qeveri dhe ka qenë periudhë e shkurtër. Kurti ka qenë i gatshëm ta shtyjë përpara këtë çështje por ishte periudhë e shkurtër dhe shpejt ndodhi rrëzimi i qeverisë”, tha Bulliqi në Interaktiv. 

Bulliqi, ish-kryetar i Komisionit për demarkacionin me Malin e Zi, e ka kritikuar edhe Qeverinë Haradinaj për qasjen ndaj kësaj çështjeje.

“Qeveria Haradinaj e di se ne e kemi hartuar një raport i cili ka volum mbi 900 faqe material ku janë dhënë faktografi, ka qenë një strategji se si do t’i qasemi diskutimit me palën malzezë dhe ai raport është publik, është botuar dhe është shpërndarë në të gjitha libraritë, ambasadat e institucionet në Shqipëri e Maqedoni, aty, është një dokumentacion me faktografi që tregon se ai territor është administruar nga Kosova, madje, deri në vitin 2009 ne e kemi administruar atë territor, dhe atëherë shkon pala malazeze dhe thotë s’keni nevojë më të vini në Savinovodë”, tha Bulliqi.

Bulliqi, shtoi se ka pasur material të mjaftueshëm për aktakuzë. Por, ka shtuar se largimi i Bulliqit dhe të tjerëve nga ky komision është bërë me qëllim që t’i hapet rruga një procesi të gabuar.

“Besimi i vetëm i imi është sepse ndërrimi i këtij komisioni, është për t’i hapur rrugë një procesi të gabuar të nisur më herët të finalizohet. Ka ardhur koha të finalizohet sigurisht duke e cenuar seriozisht integritetin territorial të vendit”, shtoi ai.

23:43

Bulliqi: Thaçi e Mustafa kishin tendencë që procesi i demarkimit me Malin e Zi të përfundonte shpejt

Shpejtim Bulliqi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetar i Komisionit për demarkimin e kufirit me Malin e Zi ka thënë se demarkacioni i solli dëme të mëdha Kosovës.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se ish-ministri i Punëve të Jashtme atëherë Hashim Thaçi dhe kryeministri, Isa Mustafa kishin tendencë që procesi të përfundonte sa më shpejt.

Sipas tij, ato dëme janë të pariparueshme dhe tashmë po ju sjellin kokëçarje edhe qytetarëve.

Bulliqi ka thënë se ditëve të fundit njerëzit janë larguar me dhunë nga pjesa ku i është dhënë Malit të Zi, nën pretekstin se ajo pjesë nuk është më e Kosovës.

Ai tutje ka shtuar se ka pasur marrëveshje mes dy presidentëve për formimin e një trupi punues që do ta shënonte vijën kufitare në terren.

“Pjesa dërrmuese e atyre staneve dhe kullosave që i kanë përdorur qytetarët i kanë paguar taksat në komunën e Pejës. Ende ai kufi nuk është zyrtar pavarësisht faktit që është ratifikuar në të dy kuvendet. Ai kufi përfundon kur shënohet ajo vijë kufitare në terren. Nuk ka asnjë arsye që pala malazeze t’iu shkaktojë probleme qytetarëve në atë pjesë”, ka thënë ai.

Bulliqi ka thënë se Mali Zi asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale ndaj Kosovës, duke shtuar se marrëveshja e presidenteve është që të shikohen sektori në drejtim të Çakorrit dhe atij të Zhlepit, për të cilat sipas tij, pretendohet se ka pasur lëshime.

Sipas tij, marrëveshja thotë se ato gabime në këto dy sektorë duhet të korrigjohen.

“Ka mundësi që këto gjëra të korrigjohen. Ky proces është përcjellë me neglizhencë dhe papërgjegjësi, por ndoshta edhe me tendencë që ky proces sa më shpejt të përmbyllet, duke filluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, ish-kryeministri Isa Mustafa dhe njerëzit e tjerë të involvuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo është papërgjegjësi e madhe e një numri të caktuar të politikanëve që i kanë bërë dëm procesit.