14:35

Shtëpia e Bardhë konfirmon Hotin dhe jo Thaçin si përfaqësues të Kosovës më 2 shtator

Të mërkurën e 2 shtatorit, liderët e Kosovës dhe Serbisë do të priten në Shtëpinë e Bardhë, nga i dërguari amerikan për dialogun, Richard Grenell dhe Robert O’Brien, Këshilltar për Sigurisë Kombëtare i presidentit Trump.

Mirëpo, bashkë me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti, pritet të mos jetë presidenti Hashim Thaçi. Kështu të paktën ka lënë të kuptohet Grayson Vincent nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Vincent është pyetur nga KOHA nëse ftesa për takim i është dërguar edhe Thaçit, por në përgjigje, zyrtarja amerikane ka përmendur vetëm Hotin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si liderë ndërmjet të cilëve do të zhvillohet takimi.

“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, do t’i presë drejtuesit e Serbisë dhe Kosovës me ambasadorin Grenell më 2 shtator. Shtetet e Bashkuara shpresojnë shumë në këto diskutime të rëndësishme me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Hoti. Shtetet e Bashkuara besojnë se përparimi në sferën ekonomike është çelës në përparimin e procesit të paqes”, ka thënë Vincent për KOHËN.

KOHA ka pyetur Presidencën e Kosovës nëse Thaçi do të jetë i pranishëm në takim, mirëpo akoma nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë, gjatë ditës Thaçi ka mirëpritur organizimin e takimit nën ndërmjetësimin amerikan, por nuk ka shkruar rreth përmbajtjes së delegacionit të Kosovës.

Një takim i ngjashëm në Uashington u shty më 27 qershor, pas publikimit të aktakuzës ndaj Thaçit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

07:33

Liderë të Kosovës e Serbisë takohen në Uashington më 2 shtator

Emisari special i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka bërë të ditur se liderë të Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington më 2 shtator për bisedime.

Grenell këtë e ka bërë të ditur përmes një cicërime në Twitter sot në mëngjes.

“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, më 2 shtator për të biseduar”, ka shkruar ambasadori Grenell.

Një takim në Uashington mes krerëve të Kosovës e Serbisë ishte paraparë për 27 qershor, por ishte anuluar pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.

Takimin e 2 shtatorit e ka përshëndetur ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.