Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

23 komuna s’e përkrahin faljen e tatimit në pronë

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se 23 komuna nuk e kanë përkrahur Ligjin për Tatimin në Pronë, dhe nuk kanë marrë vendime për faljen e 100 euro për qytetarë.

Ibrahimi e ka vlerësuar të gabuar këtë vendim, pasi dëmi i përgjithshëm i komunave llogaritet të jetë milionësh.

“Janë 23 komuna të cilat nuk kanë marrë vendim apo nuk e kanë shqyrtuar çështjen e faljes së Tatimit në Pronë. Pra janë 23 komuna dhe dy të tjera janë në proces gjatë ditës së sotme e kanë çështjen e faljes së Tatimit në Pronë në vlerë deri në 100 euro. Po shihet që shumica e komunave nuk kanë hyrë në këtë proces, duke marrë parasysh se buxhetet e tyre komunale do të dëmtoheshin me qindra mijëra euro dhe në total i bie me miliona euro”, ka thënë Ibrahimi.

Në këtë situatë sipas tij do të ndikojë edhe mendimi juridik i Gjykatës Supreme, ku mësimdhënësit duhet të kompensohen për licencimin e tyre si dhe normën e inflacionit.

“Duke marrë parasysh që niveli qendror nuk është duke u marrë edhe me çështjen e kontratave kolektive, pastaj në 23 komuna në Kosovë i ka shkurtuar me miliona euro investimet kapitale për projektet e reja dhe duke u marrë parasysh edhe faljen e Tatimit në Pronë, atëherë në takimin e Këshillit të Kryetarëve ku i diskutuam këto çështje, u konkludua që komunat e Kosovës vitin e ardhshëm do të gjinden në një situatë shumë të pavolitshëm financiare sa i përket investimeve kapitale”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, komunat që nuk e kanë ndërmarrë këtë vendim për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë, është bërë për shkak të pamundësisë për të realizuar të hyra më shumë vetanake.

“Pra po shihet se nëse një Projektligj nuk hartohet së bashku me komunat, atëherë edhe zbatimi i tyre nuk po është efikas. Pra me vetë faktin se deri në këtë moment 23 komuna që ky numër ndoshta mund të shtohet, nuk e kanë bërë një veprim të tillë, po shihet që politikat qeveritare ndaj nivelit lokal, nuk po janë korrekte. Me vetë faktin që nuk ka bashkëpunim të sinqerte e korrekt me nivelin lokal sa i përket hartimit të projektligjeve e të cilat prekin interesat e tyre vitale, po shihet se edhe komunat në pamundësi që të kenë të hyra më shumë vetanake, këto komuna kanë marrë vendim që mos ta bëjnë një veprim të tillë sa i përket faljes së Tatimit në Pronë”, ka theksuar ai./EO

 

Artikuj të ngjashëm