22:01

Përurohet segmenti “problematik” i rrugës Deçan-Plavë, Komuna në bisedime me Manastirin për zgjidhje

Është bërë përurimi i rrugës që ka shkaktuar mosmarrëveshje të shumta mes Komunës së Deçanit dhe Manastirit.

Inagurimi i segmentit të parë që lidh Plavën me Deçanin u bë në 21-vjetorin e çlirimit të këtij qyteti.

Problemet shumëvjeçare në këtë pjesë rifilluan me prezantimin e projektit të ndërtimit të kësaj rruge, raporton KOHA.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Deçanit thotë që janë në bisedime me përfaqësuesit e Manastirit që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për zhvillimin e projekteve të ndryshme.

Lidhur me problemet që mund të shkaktojë kjo rrugë për Manastirin, këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër, Serbia në vazhdimësi ka kërkuar edhe eksterritorialitetin e objekteve fetare.

Mundësinë që një gjë e tillë të diskutohet në dialog me Serbinë nuk e ka mohuar kryeministri Avdullah Hoti.

Në 2016, Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim që një hapësirë rreth 25 hektarë t'i kalojë në pronësi Manastirit të Deçanit. Një gjë e tillë ka pamundësuar edhe ndërtimet e investime të tjetra në këtë pjesë.

16:29

Deçani e Plava lidhen me rrugë, Hoti e vlerëson projekt të rëndësishëm për trojet shqiptare

Të martën është përuruar asfaltimi i segmentit të parë të rrugës Deçan – Plavë. Në ceremoninë me rastin e përurimit të rrugës prezent ishte edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se është i nderuar të marrë pjesë në përurimin e rrugës, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

“Jam vërtetë i nderuar që në ditët e para të mandatit e përurojmë një projekt të rëndësishëm të qeverive të kaluara. Disa ministra me radhë kanë punuar në këtë projekt dhe jam shumë i nderuar që sot një pjesë të kësaj rruge e përfundojmë. Bashkë me ministrin e Infrastrukturës morëm obligimet për të quar më tutje këtë projekt të rëndësishëm për trojet shqiptare”, ka thënë kryeministri Hoti.

Hoti e ka vlerësuar rrugën “me rëndësi strategjike’, kurse “siguroi kryetarin e Komunës së Deçanit, se do të jenë së bashku për të quar deri në kufi këtë rrugë dhe bashkë me bashkëkombësit tonë matanë kufirit ta lidhin deri në destinimin e saj”.