Arbëri

Policia ndalon aktivistin e VV-së për prishje të qetësisë, ai thotë se u godit e u gjobit pasi thirri “poshtë Lista Serbe”

Foto: Koha / ilustrim

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është ndaluar nga Policia e Kosovës të enjten në mbrëmje.

Në një prononcim për KOHËN, Mujeci ka bërë të ditur se ai është gjobitur me 50 euro, pasi pranë ndërtesës së Qeverisë, ka thirrur “poshtë Serbia dhe Lista Serbe”, e nga Policia thonë se ai u gjobit për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, pa dhënë më shumë detaje.

Ai thotë se brenda stacionit të Policisë është goditur me shuplakë nga një zyrtar policor.

“Kam qenë duke kaluar afër ndërtesës së Qeverisë, kam thirrur ‘poshtë Serbia dhe Lista Serbe’ pastaj jam ndalur nga sigurimi që qëndron te kjo ndërtese. Më pas ka ardhur policia dhe më ka marrë. Të njëjtit më kanë intervistuar, njëri nga ta më ka goditur me shuplakë. Pastaj kam marrë gjobë prej 50 eurove”, ka thënë ai.

Mujeci ka bërë të ditur se nuk do të bëjë ankesë lidhur me rastin, pasi thotë se nuk ka besim në institucionet e sigurisë në vend.

“Nuk kam menduar të hap rast sepse nuk iu besoj institucioneve të sigurisë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq në një përgjigje të Policisë për KOHËN, thuhet se gjoba është shqiptuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Nga Policia thonë se për pretendimet për tejkalim kompetencash, pala duhet t’u drejtohet institucioneve kompetente.

“Personi B. M., është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij është shqiptuar një gjobë për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’. Ndërsa sa i përket pjesës tjetër ku pala pretendon se ka pas tejkalim kompetencash nga zyrtarët, e ftojmë palën që të adresojë ankesën e tij në institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Në përshkrimin e kundërvajtjes nga Policia, të cilën e ka zbuluar Mujeci, thuhet se “është ndaluar pasi është hasur duke bërtitur dhe ofenduar në shesh”.

“Personi i lartcekur është hasur në shesh në orën 21:20 nga kolegët duke bërtitur dhe duke ofenduar me zë të lartë”, thuhet në përshkrimin e kundërvajtjes.

Një incident ka ndodhur edhe të mërkurën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u quajt hajn nga një aktivist i Vetëvendosjes, gjatë një konference të cilën po e mbante në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Mbrojtja e afërt e presidentit e ndaloi aktivistin Veron Hasani e pastaj i njëjti është shoqëruar në Polici. Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se truprojat e presidentit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Hasanit, gjë të cilën e ka pohuar edhe vetë ai. Po ashtu, edhe një video e tregon një prej truprojave të presidentit duke e goditur.