Arbëri

MASHTI nxjerr udhëzuesit për testin e arritshmërisë, komunat probleme me fondet për dezinfektim

Testi i Arritshmërisë 2020 për klasat e nënta këtë vit pritet të mbahet më ndryshe. Për shkak të pandemisë COVID-19, kësaj here, shkollat në të cilat do të mbahet testi duhet të jenë të dezinfektuara, derisa nxënësit dhe i gjithë stafi janë të detyruar të mbajnë dorëza e maska dhe të respektojnë distancën deri në 2 metra.

Bazuar në dy udhëzime që i ka nxjerrë MASHTI, më 23 qershor, kur edhe pritet të mbahet testi, në klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës, të cilët do të ndahen në 3 rreshta, raporton KOHA.

Në hyrje të qendrës së testimit, në korridore e klasë, do të vendosen posterë me informacione për respektim të rregullave për mbrojtje nga COVID-19. Kushdo që nuk i respekton rregullat, sipas MASHTI-t, do të largohet nga qendra e testimit dhe nuk do të ketë mundësi t’i nënshtrohet testit në këtë afat.

“Drejtori i shkollës në Qendrën e testimit (me ndihmën e DKA) sigurohet që në çdo hyrje të Qendrës dhe në çdo klasë testimi të ketë dezinfektues për pastrimin e duarve dhe vend të caktuar dhe të mbyllur për hedhje të letrave apo faculetave të xhepit”, shkruhet në udhëzuesin e MASHTI-t.

Sipas Udhëzuesit, drejtoritë komunale, përveç tjerash, e kanë për detyrë të bashkëpunojnë me shkollat për t’u informuar nëse ndonjë nga nxënësit apo familjet e tyre kanë qenë apo janë të prekur nga COVID-19.

“Përcjellin gjendjen e nxënësve në ditën e organizimit të testit, për të parë nëse shfaqin simptoma si ethe, kollë e thatë, probleme me frymëmarrjen, humbje shije, dhimbje të fytit”, shkruhet po ashtu.

Kryesuesi i kolegjiumit të drejtorëve komunalë të arsimit, Besim Avdimetaj, ka thënë se të gjitha rekomandimet mund të realizohen, por vetëm dezinfektimi mund të jetë më problematik për shkak të buxhetit të kufizuar. Për këtë çështje, sipas tij, komunat kanë kërkuar përkrahje financiare nga Qeveria.

Testi i Arritshmërisë do të mbahet në të njëjtën ditë në të gjithë Kosovën dhe atij pritet t’i nënshtrohen 26.261 nxënës. Rezultatet do të shpallen më 30 qershor.