Arbëri

Të hënën fillon puna në gjykata dhe KGjK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), duke respektuar rekomandimet e IKSHP-së, nën masat e mbrojtjes nga pandemia COVID-19, thekson se të hënën nis puna në gjykata.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që nga 1 qershori 2020 të fillojë puna në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës, por pa prezencën e mediave dhe publikut, duke zbatuar rekomandimet e IKSHP për masat kundër virusit COVID-19.

“Anëtarët e KGjK-së, aprovuan draft propozimin për Planin emergjent për menaxhimin e krizës të përgatitur nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave dhe Komisioni për Çështje Normative, qëllimi i të cilit është sigurimi i mbarëvajtjes së punës në sistemin gjyqësor të Kosovës duke iu përshtatur rrethanave emergjente. Gjithashtu, ky Plan mund të shërbejë si dokument bazë për menaxhimin e krizave në të ardhmen duke përfshirë situatat e tjera emergjente shëndetësore, katastrofat natyrore apo rrethanave të kërcënimeve të sigurisë”, theksohet në njoftim.

Gjatë këtij takimi, Këshilli aprovoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e tre gjyqtarëve, dy (2) nga Gjykata e Apelit në Prishtinë dhe një (1) në Gjykatën Themelore në Prizren-dega në Dragash.