15:36

Sveçla rreth akuzave të Thaçit: Për to të deklarohen ekspertët në Klinikën Psikiatrike

U.d i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se rreth akuzave të Thaçit duhet të deklarohen ekspertët e psikiatrisë.

Këtë gjë e ka bërë të ditur përmes një sqarimi lidhur me prononcimin e tij gjatë vizitës në QKUK.

“Nuk është as vendi, jemi në administratën e QKUK-së. Nuk jam unë që duhet të deklaroj për këtë. Për këtë duhet të deklarojnë në ndërtesën e ngjitur ekspertët që punojnë aty”, ka thënë ai, gjatë vizitës në QKUK, raporton KOHA.

Deklaratën e tij ai e ka qartësuar më vonë, përmes një videoje në të cilën në kllapa sqarohet se me “ndërtesën ngjitur” ka nënkuptuar Klinikën e Psikiatrisë.

12:09

Sveçla refuzon t’u përgjigjet akuzave të Thaçit se ka hyrë në dhomën e përgjimeve

Xhelal Sveçla, u.d i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, ka refuzuar të enjten t’u përgjigjet akuzave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një natë më parë, se ai, kryeministri Kurti dhe zv.kryeministri Abazi kishin hyrë në dhomën e përgjimeve të PTK-së.

“Nuk është as vendi, jemi në administratën e QKUK-së. Nuk jam unë që duhet të deklaroj për këtë. Për këtë duhet të deklarojnë në ndërtesën e ngjitur ekspertët që punojnë aty”, ka thënë ai, gjatë vizitës në QKUK, raporton KOHA.

Sveçla, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori italian, Nicola Orlando kanë qenë në vizitë në QKUK. Arsye e kësaj vizite ka qenë prezantimi i ndihmave nga kontigjenti ushtarak italian me mjete mbrojtëse, për ta pasur më te lehtë ballafaqimin me COVID-19. Ata janë pritur nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu.

Gjatë këtij takimi, sa i përket lehtësimit të masave, Vitia ka mohuar se një gjë e tillë është bërë për t’i hapur rrugë protesave,

“Kjo është bërë bazuar në planin që kishte Qeveria dhe fazat e lehtësimit të masave”, ka thënë Vitia.

Ai po ashtu ka folur për ndihmat në sektorin e shëndetësisë, duke thënë se ato janë të mirëseardhura.

“Pandemia ndryshoi mënyrën tonë të jetës, na sensibilizoi dhe na bëri më të afërt me njëri-tjetrin, të bëhemi më shumë human dhe ta respektojmë njëri-tjetrin. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm brenda Kosovës, duke filluar nga ata që ishin në vijën e parë të frontit, e bëri të mundur që ne si Kosovë të tejkalojmë mirë këtë pandemi, mirëpo një ndihmë e jashtëzakonshme ka qenë ajo nga miqtë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ambasadori italian ka bërë thirrje për kujdes, teksa ekspertët paralajmërojnë edhe një valë të dytë të koronavirusit.

“Është e rëndësishme të vazhdojmë të kemi kujdes në këtë fazë, kur ekspertët paralajmërojnë valën e mundshme të dytë të përhapjes së virusit në tërë botën. Distancimi social dhe pajisjet personale mbrojtëse si këto që po i dhurojmë sot janë çelës për suksesin e vazhdueshëm në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë”,​ ka thënë ai.