1 perditesime
15:16

LVV-ja merr lejen e policisë për tubimin e nesërm

Policia e Kosovës njofton se ka pranuar kërkesë nga Lëvizja Vetëvendosje për tubimin e nesërm në sheshet e kryeqytetit, kësisoj, edhe e ka aprovuar.

Në një përgjigje për KOHËN, policia thotë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet për menaxhim të situatës për të garantuar qetësinë publike.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në përgjigjen e PK-së për KOHËN.

Tutje, në përgjigje theksohet se si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë.

Tubimi do të nisë nesër në sheshin “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” dhe “Ademi Jashari”, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, ndërkaq, përgatitjet teknike nisin në orën 16:00.

Për mbajtjen e këtij tubimi, njofton LVV-ja, janë angazhuar 200 aktivistë.

Image
13:36

Vetëvendosja nesër mban “provën” e dytë për protesta

Lëvizja Vetëvendosje pritet që nesër të organizojë një tjetër tubim në sheshin e Prishtinës me 3500 deri në 5000 persona.

Ndonëse, Vetëvendosja thotë se s’është protestë, duket se këto janë prova për t’u përgatitur për protesta.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Vetëvendosjes për KOHËN.

LEXO EDHE: “Prova” për protestë në kohë pandemie nëse vendi nuk shkon në zgjedhje

Së fundmi, në shesh u organizua një provë e tillë me 1,500 persona.

Ndërkaq sot, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se lehtësimi i kufizimit të lëvizjes nuk është i ndërlidhur me mundësinë që të ketë protesta këtë javë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e mandatarit, derisa shtoi se e drejta e protestës iu takon vetëm qytetarëve.