Arbëri

Rini në mjerim

Foto: Alban Bujari / Koha

Mensuri ia ka lidhur biçikletës karrocën e vogël në pikun e masave për frenimin e përhapjes së virusit. Kishte pothuajse dy vjet prejse e kishte futur në garazhin e ndërtuar me drunj e llamarinë. I është kthyer mbledhjes së mbeturinave të riciklueshme nëpër kontejnerë e deponi në kohën kur bëhej thirrje për të qëndruar në shtëpi. Gjatë dy javëve të para pas vendosjes së masave shtrënguese nga Qeveria në mesmars, ia doli të siguronte ushqimin e familjes prej gjysmës së pagës prej 180 eurosh si pastrues në një qendër tregtare.

“Vallahi, me qato pare, 90 euro ma, menxi e gjetëm do miell, edhe kemi ble pak ma shumë çaj, sheqer, zejtin e do makarona se nuk u dike sa po zgat kjo virane”, thekson Mensuri, rioshi nga Fushë-Kosova, i cili ka kërkuar që t’i ndryshohet identiteti nga frika se mund ta humbë vendin e punës si pastrues në kryeqytet. Paga e tij e rregullt ishte burimi kryesor për pesë motrat e vëllezërit, dhe prindërit e tij. 22-vjeçari, më i madhi prej fëmijëve, tani i është kthyer “zanatit të vjetër”, sikurse i thotë ai mbledhjes së mbeturinave metalike e plastike, teksa tregon se po e ndihmojnë edhe dy vëllezërit tinejxherë, shkruan KOHA.

Gjatë kësaj kohe, punëdhënësi nuk e ka regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës(ATK) për të marrë 130 eurot prej pakos stimuluese të Qeverisë në detyrë për t’i ndihmuar punëtorët dhe bizneset të goditur nga masat për mbrojtje të shëndetit publik në kohë pandemie.

Të dhënat e ATK-së tregojnë se gjatë pandemisë mbi 1.600 persona kanë mbetur pa punë. Por ky numër dyshohet se është shumëfish më i lartë pasi një pjesë e tyre nuk janë deklaruar fare nga kompanitë. E janë edhe dhjetëra e mijëra të tjerë që kanë punuar në tregun joformal.

Mensuri realisht është vetëm njëri prej punëtorëve pa kontrata në ekonominë joformale. “Çfarë t’regjistruni. S’kam guxu as me ia përmen kurrë”, thekson Mensuri, pjesëtar i komunitetit rom në qytezën e rrafshët pothuajse të ngjitur me Prishtinën.

Papunësi ekstreme në mesin e të rinjve

Lulzim Qerimi, nënkryetar nga radhët e komuniteteve i Komunës së Lipjanit, thotë se ka shumë raste të pakicave të rrethinës që po mbijetojnë prej punës private krizën më të madhe ekonomike pas çlirimit. “Kësisoj kanë filluar edhe ankesat, pasi shumica e tyre nuk kanë pasur të hyra mujore të rregullta”, ka thënë Qerimi, duke konfirmuar se nuk ka pasur asnjë rast të pjesëtarëve të pakicave të Komunës së Lipjanit të paraqitur për të përfituar prej pakos qeveritare. Qerimi ka thënë se u ka bërë thirrje punëtorëve të paregjistruar që të aplikojnë me qëllim që “ne të marrim veprimet e nevojshme”, por as kjo thirrje nuk ka bërë punë. Mensuri thotë se fillimisht do të duhej ta kishte mbështetjen e punëdhënësit. “E çka nëse i marr ato 130 euro, por mbes pa punë masanej? Kështu, nashta shefi më kthen apet n’punë”.

Kështu ata do të bëheshin pjesë e ekonomisë formale, por aktivistët dhe zyrtarët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian thonë se edhe ashtu numri i punëtorëve të këtyre pakicave të punësuar është i ulët. Edhe më e ulët është shkalla e punësimit në mesin e të rinjve joshumicë.

Të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptianë kanë shkallën më të lartë të papunësisë, joaktivitetit dhe të popullatës që nuk është as në shkollë, as në punë e as në aftësim profesional, bëhet e ditur në hulumtimin e autores Ada Huibregtse, “Perspektivat e të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”, bazuar në hulumtimet e kryera në Gjakovë, Fushë-Kosovë e Graçanicë. Studimi i Organizatës Botërore të Punës është mbështetur nga Ministria izraelite e Punës, e Çështjeve Sociale dhe e Shërbimeve Publike.

“Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kanë shkallë papunësie të të rinjve prej 49 për qind, jo në shkollë apo trajnim 78 për qind, siguri ushqimore 57 për qind dhe përdorim të shërbimit shëndetësor parësor 54 për qind”, thuhet në raportin e Huibregtse të publikuar më 2018.

Qerimi thotë se të rinjtë e komuniteteve joshumicë sikurse para pandemisë, edhe gjatë saj, vazhdojnë ta kenë papunësinë shqetësimin kryesor. “Aktualisht, sipas statistikave që ne i kemi, janë më shumë se 95 për qind e të rinjve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët nuk e kanë një vend pune, ku ky numër është gjithnjë në rritje, dhe shto këtu faktin tash pas periudhës së pandemisë, situata ekonomike në përgjithësi në Kosovë po keqësohet, ky numër në mos më keq, do të shkojë deri në përmasa ekstreme”, ka paralajmëruar Qerimi, nënkryetar i Lipjanit. “Ky është një problem që këto tri komunitete po i shoqëron prej një kohe të gjatë dhe fatkeqësisht deri më tani nuk kemi pasur mbështetje nga institucionet e Qeverisë që të ndryshojë kjo gjendje”.

“Goditje e rëndë”

Qeveria në detyrë ka prezantuar në prill në kuadër të Pakos Fiskale Emergjente 15 masat emergjente për zbutjen e efekteve të krizës në mesin e kompanive private dhe të punëtorëve. Masa e nëntë përfshin një fond të veçantë prej 2 milionë eurosh ndaras për mbështetje iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës, “e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik...”.

Fridon Lala, zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, ka thënë se ministria e tij po mundohet të jetë sa më afër grupeve më të goditura nga pasojat e virusit korona. Ka thënë se si përfaqësues i pakicave në Qeveri po mundohet të adresojë shqetësimet e tyre. “Duke marrë parasysh që në kushte normale, gjendja socioekonomike e komuniteteve pakicë është më e rënduar karshi komunitetit shumicë, automatikisht nënkuptohet se situata pandemike i ka goditur këto grupe më shumë”, është shprehur Lala.

Ai dhe deputeti i pakicës egjiptiane, Elbert Krasniqi, kanë zhvilluar takim me ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, për të shqyrtuar detajet e masës së nëntë të Pakos Fiskale Emergjente të Qeverisë në detyrë. “Me theks të veçantë diskutuam masën 9, e cila u dedikohet drejtpërdrejt komuniteteve joshumicë”, ka thënë Krasniqi. “Inkurajojmë pjesëtarët e komuniteteve që të aplikojnë dhe për masat e tjera për të cilat kualifikohen e të cilat janë të dedikuara për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Bajram Ilazi, i cili studion në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik në Kolegjin AAB, tregon se sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të popullsisë më 2011, në Kosovë jetojnë mbi 35 mijë romë, ashkalinj dhe egjiptianë – apo ndaras; 8.824 romë; 15.436 ashkalinj; dhe 11.524 egjiptianë.

“Kështu, romët përbëjnë 0.51 për qind të popullsisë në Kosovë, ashkalinjtë 0.89 për qind dhe egjiptianët 0.66 për qind, mirëpo ky numër nga viti 2011 është rritur dhe jozyrtarisht janë rreth pesëdhjetë mijë pjesëtarë”, ka thënë Ilazi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, “Bashkimi Rinor, e Ardhmja e Ndritur” (BRAN). “Pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve janë të shpërndarë në tërë Kosovën, kryesisht në 24 komuna, me një prani më të madhe në komunat Ferizaj, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Pejë dhe Prizren”.

Në margjina të shoqërisë

Vetë Ilazi, ish-kryetar i Këshillit të Studentëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, dhe ish-menaxher projektesh në organizata të ndryshme joqeveritare, ka më shumë se shtatë vjet që merret me përmirësimin e jetës së këtyre tri pakicave. Ilazi, pjesëtar i komunitetit ashkali, thotë se pasioni i tij është puna me komunitetet joshumicë, “e me theks të veçantë me të rinjtë dhe studentët e këtyre komuniteteve”, me fokus në çështjet e edukimit, mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve, barazisë gjinore dhe çështjeve socioekonomike.

“Shumica e anëtarëve të komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom jetojnë në margjina të shoqërisë, me nivele të larta të papunësisë, nivel të ulët të edukimit, si dhe jetojnë në vendbanime të cilat janë në disa raste joformale, me infrastrukturë të dobët dhe me shtëpi që janë në kushte të mjera”, ka thënë Ilazi. Po ashtu, sipas statistikave të fundit nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale e Kosovës, mësohet se mbi 2.700 familje nga këto komunitete përfitojnë nga asistenca sociale.

Ai thotë se niveli i ulët i punësimit mbetet problemi kyç ekonomik e shoqëror i Kosovës. Sipas anketës së “Pulsit Publik”, 78 për qind e kosovarëve e citojnë papunësinë si problemin më të madh të vendit, u referohet ai të dhënave.

Statistikat e Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) tregojnë se papunësia e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian tejkalon nivelin 90 për qind, në krahasim me nivelin 33 për qind të popullsisë së Kosovës në përgjithësi. “Ndërsa, sipas raporteve të ndryshme nga organizatat joqeveritare në Kosovë tregojnë se në institucionet publike në nivel qendror (që përfshijnë ministritë, shërbimin policor, shërbimin doganor dhe këshillin gjyqësor) tregojnë se nga 25,695 të punësuar gjithsej, vetëm 111 të punësuar janë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përderisa dyshimet janë se shumë pjesëtarë të komuniteteve të tjera punësohen duke u deklaruar si pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, thekson Ilazi.

Sadat Kryezia, 25 vjeç, punon lloj-lloj punësh në Ferizaj. “Më thirrin me ngarku e me shkarku, a mill, a blloka, çka t’ka nevojë”, thekson pjesëtari i komunitetit ashkali, derisa po pret në krye të sheshit nëse dikush ka nevojë t’ia pastrojë oxhakun e shtëpisë ose të hapë ndonjë tub të mbyllur kanalizimi. “Tash po duhet me punu çka t’ka nevojë. Është vakti m’i ly shpijat e nashta dikush ka nevojë me ia çel naj axhak a naj cev”, thekson burri qimerrallë e flokëkërleshur. Njërën dorë e mban në timonin e biçikletës së kuqe.

Luftë e përditshme për mbijetesë

Lala, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, thotë se shqetësimi kryesor në radhët e komuniteteve prej përhapjes së virusit me kurorë është mbijetesa. “Niveli i lartë i varfërisë dhe shkalla e lartë e papunësisë të ndikuara nga shkalla e lartë e shqetësimit shoqëror rreth furnizimeve ushqimore, ka rezultuar me panik te komunitetet sa i përket mbijetesës së tyre”, ka thënë ai.

Organizatat financiare ndërkombëtare parashohin tkurrje serioze të ekonomisë së Kosovës sivjet.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova do të ketë rënie ekonomike prej 3 deri në 5 për qind, që i bie humbje prej tridhjetë mijë deri në pesëdhjetë mijë vendesh pune. Edhe Banka Botërore parasheh rënie ekonomike prej 4.5 për qind, por në skenarin më të keq, tkurrja mund të shkojë deri në 11 për qind. Kjo tkurrje do të prekë më së shumti të rinjtë e pakicave, të cilëve do t’u kufizohen edhe më shumë mundësitë për punësim në ekonominë formale e të kenë kontrata afatgjate.

“Shqetësimi tjetër i komuniteteve pakicë është situata ekonomike gjatë dhe pas pandemisë. Situata pandemike ka goditur një pjesë të konsiderueshme të klasës punëtore nga radhët e komuniteteve, duke i lënë të papunë ata të cilët kishin marrëdhënie pune”, thekson Lala. “Në këtë rast, mirëqenia e mbajtjes së familjes iu rrezikohet drejtpërdrejt, dhe këta persona mund t’i shtohen listës së të papunëve dhe kategorive sociale pasi që pandemia të kalojë”.

“Ishalla ka Allah edhe për të e më kthen në punë si t’çelet puna”, thekson Mensuri, kur pyetet për mundësinë e humbjes së vendit të punës si pastrues pa kontratë në kryeqytet.

Punësim “sot për nesër”

“Gjendja e punësimit të komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom është me e vështirë në krahasim me komunitetet e tjera, ndërsa vendet e punës në të cilat janë të angazhuar janë shpesh të përkohshme, të shumtën fizike, që nuk kërkojnë shkathtësi të larta dhe nuk paguhen mirë”, thekson Ilazi, “ndërsa këto komunitete janë të nënpërfaqësuara edhe në punësimin në institucione publike dhe ndërmarrje publike, megjithëse ekziston një kornizë ligjore që siguron përfshirjen e tyre në punësim në sektorin publik”.

Lala thotë se të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian hasin në vështirësi të shumta për t’u bërë pjesë e zhvillimit ekonomik dhe tregut të punës në Kosovë. “Problemi kyç është se mundësitë e kontributit të këtyre të rinjve kufizohen përbrenda kufijve të komunitetit që ata i përkasin”, vlerëson Lala, duke shtuar se si rezultat i kësaj, rrugëdalja e vetme është organizata e shoqërisë civile me bazë në komunitet. Megjithëse, thekson ai, këta të rinj kanë mundësi për të dhënë kontribut më të madh për krejt shoqërinë. “Sa i përket punësimit, shifrat si nga sektori publik, po ashtu edhe nga ai privat, lënë shumë për të dëshiruar”.

Në bazë të të dhënave të Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil, deri në dhjetor 2019, në Shërbimin Civil të Kosovës janë të angazhuar gjithsej 21 romë apo 0.11 për qind e të punësuarve në përgjithësi, 19 ashkali apo 0.10 për qind dhe 15 egjiptianë apo 0.09 për qind.

“Edhe pse Ligji për Shërbimin Civil garanton që 10-përqindëshi i të punësuarve në institucione të Shërbimit Civil të jetë nga radhët e komuniteteve pakicë, kjo përqindje nuk është e distribuar proporcionalisht te komunitetet. Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët janë grupet e nënpërfaqësuara, me ç’rast përballen me diskriminim të dyfishtë”, thekson ai, duke treguar se gjendja nuk është aspak më e mirë as në sektorin privat. “Një studim nga ILO (Organizata Botërore e Punës) konfirmon pozitën e disfavorshme të këtyre komuniteteve në sektorin privat. Mostra e hulumtimit përbën 12.126 punëtorë të punësuar në 1.547 ndërmarrje, megjithatë, vetëm 0,1 për qind e personave që punojnë në këto ndërmarrje janë romë, ashkalinj dhe egjiptianë, apo rreth 12 persona. Studimi tregon gjithashtu se të ardhurat mesatare mujore të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve janë më të ulëta në krahasim me të ardhurat e shqiptarëve të Kosovës”.

Rrekja për arsimim

Ilazi, drejtor ekzekutiv i BRAN-it, ka thënë se që nga paslufta, institucionet lokale e qendrore justifikoheshin se nuk kishin si t’i punësonin të rinjtë e këtyre komuniteteve për shkak se nuk kishin kuadro e pjesëtarë të diplomuar. U referohet të dhënave të OJQ-së, “Roma Versitas Kosovo”, që tregojnë se 42 studentë nga këto tri komunitetet u regjistruan në institucionet e arsimit të lartë në vitin akademik 2018/2019, ndërsa kjo shifër u rrit në vitin pasues në 53 sish.

“... mirëpo, përkundër faktit që për çdo vit kemi të diplomuar, fatkeqësisht asnjëri nga ta nuk punësohet në institucionet publike, madje Këshilli Konsultativ për Komunitetet, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthimit, Zyra për Çështjet e Komuniteteve (ZÇK), Zyra e Komisionarit për Gjuhët, e shumë mekanizma të tjerë që bazohen për komunitetet, nuk e kanë asnjë të punësuar nga radhët e këtyre komuniteteve; ashkali, egjiptian dhe rom”, thekson Ilazi, duke thënë se edhe organizatat joqeveritare që merren kryesisht me çështje të pakicave, shumicën e personelit nuk e kanë nga këto komunitete.

“Ndërsa sektori privat shpeshherë i anashkalon, duke mos i punësuar fare, ose duke i punësuar vetëm si punëtorë fizikë dhe shpeshherë, edhe duke i paguar më pak se punëtorët e tjerë, përderisa trajtimi nuk është aspak në nivel të duhur”.

Një epror i një rrjeti dyqanesh në nivel Kosove, por që nuk ka autorizim për të folur për media, thotë se i ka disa punëtorë nga radhët e pakicave. “Janë djem të rinj, punëtorë dhe të pafjalë. Megjithatë, më duhet ta pranoj se paga e tyre nuk përkon me punën që bëjnë, por për shkak të gjendjes ekonomike, shtrëngohen të punojnë pa kërkuar ngritje page. Nuk kanë mbështetje”, thekson ai.

Virusi thellon varfërinë

Ilazi, i cili ka marrë pjesë në konferenca e seminare vendore e ndërkombëtare – vjet ka shkruar edhe në gazetën spanjolle “EsGlobal” – thotë se pasojat e masave të frenimit të përhapjes së virusit me kurorë vetëm sa kanë thelluar mjerimin e këtyre pakicave.

“Tani së fundmi, marrë parasysh edhe pandeminë COVID-19, gjendja e punësimit të këtyre komuniteteve, e specifkisht të të rinjve, është rënduar edhe më shumë pasi që pjesa më e madhe e tyre punojnë si punëtorë krahu”, ka thënë Ilazi.

Mensuri, i cili i është kthyer mbledhjes së mbeturinave për të mbledhur materiale të riciklueshme, ka thënë se pas pandemisë po gjen më pak kënaçe në kontejnerë për shkak të mbylljes së restoranteve, kafeneve e sallave të dasmave. “Ka pothuajse trefish më pak lemenka n’bërllog”, thotë Mensuri.

Ka provuar një herë të shkonte ilegalisht në Gjermani, por ishte kapur e mbajtur në burg disa javë në Hungari. Prej shtetit i ka çuar duart.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e dasmave do të prekë drejtpërdrejt xhepin e Gashit (burrit nga Janjeva, që nuk dëshiron ta tregojë edhe emrin). Ai thotë se djemtë kanë një grup muzikor dhe se gjatë muajve të verës sigurojnë shumicën e të hyrave nga dasmat për të mbajtur pastaj familjen edhe gjatë pjesës tjetër të vitit.

“Nuk e di qysh kemi me ja ba sivjet pa punë”, thekson burri trupmbledhur.

Mal sfidash

Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Lala, është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen të rinjtë e pakicave. “Një pjesë e madhe e komuniteteve është e angazhuar në veprimtari në baza ditore, e që në këtë kohë kanë ngelur pa asnjë të ardhur”, thekson ai. “Elemente të tjera, si angazhimi në ekonomi joformale dhe mosregjistrimi si punëtor të rregullt nga punëdhënësit paraqesin shqetësime të tjera dhe pengesa që pjesëtarët e komuniteteve pakicë të përfitojnë nga skemat financiare të prezantuara nga Qeveria”.

Ai ka thënë se pos masës 9, ndarë specifikisht për pakicat, pjesëtarët e komuniteteve mund të përfitojnë edhe në pika të tjera, nëpërmjet të cilave ofrohet mbështetje për familjet që nuk kanë kurrfarë të hyrash. Lala ka ndihmuar pjesëtarët që i përfaqëson edhe gjatë fazës aplikuese online. “Në këtë mënyrë jemi munduar edhe ta ruajmë shëndetin e qytetarëve, duke i shmangur turmat e mëdha të njerëzve pranë Qendrave të Punësimit dhe të Mirëqenies Sociale”, thekson ai.

Kosova ka Strategjinë sektoriale për punësim, si dhe Strategjinë për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali 2017-2021. Ilazi thotë se Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht që të gjithë përfituesve të skemës sociale nga këto komunitete, por që janë të aftë për punë, t’iu ofrojë trajnime profesionale dhe t’i angazhojë në institucione publike e private pa iu ndërprerë përkrahja sociale së paku për gjashtë muaj pas punësimit. “Po ashtu, sipas tij, pas gjashtë muajve, në rastin e nënshkrimit të kontratës njëvjeçare të largohen nga skema sociale, pasi që një pjesë e këtyre komuniteteve që janë përfitues të skemës sociale, hezitojnë të punësohen pasi që nuk kanë siguri se do të punësohen afatgjatë dhe në momentin që kalon një pagë në llogarinë e tyre, iu ndërpritet skema sociale”, thekson Ilazi, aktivisti që krejt angazhimin e vet e lidh me thënien e preferuar: “Shumë njerëz më akuzojnë se flas shumë, por harrojnë se flas për komunitetin tim!”

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Rexhep Malokut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së)