Arbëri

MPB-ja thotë se Thaçi shkeli protokollin me vizitën në Shqipëri, Pacollit i kërkon të tregojë vendndodhjen

Descriptive Text

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur protokollin shtetëror të martën duke shkuar në Shqipëri duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka thënë se nëse del të jetë i vërtetë raportimi se me Thaçin në Kosovë ka hyrë edhe deputeti Behgjet Pacolli, policia do të ndërmarrë masat ndaj kreut të AKR-së.

Në një konferencë për media, Sveçla ka thënë se Thaçit i duhet të tregojë pse ka shkelur protokollin shtetëror, ndërsa ka kërkuar nga Pacolli që menjëherë të dëshmojë vendndodhjen.

“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë kufitare që Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë pak pas orës 19. Kur eskorta e Presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet Presidenti. Po ashtu është vërejtur që Presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP. Po ashtu Policia, për shkak të xhamave të zinj, nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona tjerë të ulur prapa. Vetura e Presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër, në të cilën ka qenë vetëm shoferi.Për sqarim, në bazë të Ligjit për Protokollin Shtetëror, çdo vizitë e Presidentit jashtë kufijve, qoftë zyrtare ose private, duhet që të komunikohet te Protokolli Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë është konfirmuar që Protokolli i Shtetit, për kundër dispozitave ligjore në fuqi, nuk është njoftuar lidhur me vizitën e Presidentit në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Sveçla.

“Më lejoni të sqaroj që deri tani ne nuk kemi konfirmim se z. Thaçi ka qenë i shoqëruar nga z.Pacolli, megjithatë një skenar i tillë, nëse provohet të jetë i vërtetë, do minonte komplet Republikën e Kosovës dhe do paraqiste mosrespektim të plotë të organeve të rendit. Për më tepër, shkelja e vendimeve të hartuara nga organi kompetent, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, në qëllim të kontrollimit të pandemisë është vepër penale e përshkruar në nenin 250 të Kodit Penal”, ka shtuar ai.

Sveçla ka thënë se nëse Pacolli shfaqet në Kosovë, policia do të marrë masat e parapara me ligj.

“Nëse deputeti i Kosovës ishte në veturën e Presidentit me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë rregullën për karantinim. Ne i kërkojmë Presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërkaq z.Behgjet Pacollit i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar, Policia do të ndërmerr masa të parapara me legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar Sveçla.

Deputeti Pacolli kishte marrë leje nga Ministria e Infrastrukturës për aterrim në Prishtinë të martën, por ai kishte vendosur të anulonte fluturimin e të ndalej në Tiranë. Gjatë të martës, ai vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë Kurti për paralajmërimin se nëse hyn në Kosovë do të duhet t’i nënshtrohet rregullës së karantinimit dyjavor në Qendrën e Studentëve.