Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi thotë se Kurti ka keqpërdorur policinë dhe ka dërguar qytetarët e Shqipërisë në karantinë

Foto: Koha

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka keqpërdorur policinë e Kosovës, duke e urdhëruar atë që t’i dërgojë në karantinë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës.

Përmes një postimi në “Facebook”, Thaçi ka thënë se Kurti po i heq taksën Serbisë dhe po ia vë atë Shqipërisë.

“Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19”, ka shkruar Thaçi.

Sipas presidenti të vendit, Kurti me veprime shtesë ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë, në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.

“Ky është absurditet”, ka shkruar Thaçi. “Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbia dhe ia vë Shqipërisë. Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar. Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar”, thuhet në postimin e Thaçit.