Arbëri

Kurti e njofton Lajçakun se do t’i udhëheqë negociatat me Serbinë

Foto: Koha

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka njoftuar të dërguarin të porsaemëruar të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, sllovakun Miroslav Lajçak se Kushtetuta e obligon atë, si kryetar i Qeverisë, që ta themelojë dhe udhëheqë ekipin negociator.

Kjo bëhet e ditur nga letërkëmbimi Kurti-Lajçak i publikuar të mërkuren nga Zyra e Kryeministrit.

Në letrën dërguar Lajçakut, kryeministri në detyrë ia ka shpalosur atij planet për themelimin e një ekipi gjithpërfshirës, në të cilin, përpos Kurtit si udhëheqës, anëtarë tjerë do të ishin: presidenti Hashim Thaçi, kryekuvendarja Vjosa Osmani, ashtu si edhe përfaqësues të partive politike të Kosovës, transmeton KOHA.

Përmes letrës, Kurti ia ka theksuar të dërguarit të ri evropian, rëndësinë e përfshirjes në dialog si të BE-së, ashtu edhe SHBA-së, duke kërkuar që marrëveshja më pas të shoqërohet me garanca prej këtyre dy palëve. Në të njëjtën kohë ka insistuar që të sigurohet se në “asnjë rrethanë apo situatë nuk do të diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme”.

“Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore”, shkruan Kurti.

E në përgjigjen Kurtit, Lajçaku e ka quajtur tregues të rëndësishëm emërimin e tij si i dërguar për dialogun.

“Emërimi im jep sinjale të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog. Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur para në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmër... Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur Dialogun e Lehtësuar nga BE”, shkruan Lajçak.

Kryeministri në detyrë ia ka përsëritur Lajçakut përkushtimin e Qeverisë për fillimin e dialogut me Serbinë.

“Si qeveri në detyrë e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. Ne konsiderojmë që të dyja palët duhet të punojnë intensivisht për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të gjitha mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës po ashtu edhe shterrues, të dy vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre bilaterale. Ky është parakusht që dialogu të ketë rezultat të suksesshëm”, shkruan Kurti.

{gallery}