Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë Rashit Qalajn dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin ka folur për situatën e krijuar në veri të Mitrovicës e shifrave me koronavirusin Covid-19.
Vitia tha se në IKSHPK, dje deri pasdite janë testuar 443 raste ku pozitivë kanë rezultuar 9.
“Janë shëruar 6 dhe lajmi i mirë është se numri i të shëruarve po rritet. 1743 raste janë testuar gjithsej dhe 135 janë infektuar, 1 i vdekur dhe 16 të shëruar në përgjithësi. Në mesin e të testuarve që kanë dalë pozitivë janë edhe 3 nga veriu”, tha Vitia, përcjell Koha.
IKSHPK, thotë Vitia, do të vazhdojë të testojë njerëzit pandërprerë.
Sipas Vitisë, do të bëhet çmos për ta parandaluar përhapjen e Covid-19.
“Krantinimi i 2 komunave në veri u bë me dijeninë tonë. Janë marrë masat sipas protokollit. Ne kemi vepruar nga udhëzimet që vijnë nga OBSH-ja. Shpresojmë që bashkë do t’ia dalim. Me kryetarët e komunave në Mitrovicën e Veriut e Zveçan do të koordinohemi në vazhdimësi. Jemi në dijeni për deklaratat e shumta sot, edhe të karakterit politik, por po kërkoj që sot të jemi solidarë. Pandemia është kërcënim për gjithë njerëzimin, kujdes ju lutem nga komunikatat e pasaktësuara. I ftoj qytetarët të ndjekin këshillat tona, të jenë të sigurt që zyrtarët policorë, bashkë me infermierë e mjekë po japin maksimumin. Ju lutem t’i shmangni vizitat familjare. Ruani shëndetin tuaj e të familjarëve. Mendoni dy herë para se të dilni nga banesa e shtëpia. Çdo dalje bart rrezikshmëri të lartë, ky muaj do të saktësojë gjithçka. Vetëm bashkë mund t’ia dalim”, përfundoi Vitia.