Arbëri

Ish-partia e Bahtirit dënon deklaratën e tij për vëllavrasje

Descriptive Text

Ish-partia e Agim Bahtirit, Aleanca Kosova e Re, ka dënuar “gjuhën jodemokratike” që thotë se po përdoret nga politikanët dhe opinionistët, të cilët, sipas AKR-së, “bëjnë thirrje për mosrespektim të rendit kushtetues të Kosovës dhe vullnetit politik të partive politike parlamentare dhe thërasin në vëlla-vrasje”.

Ndonëse nuk i është referuar me emër Bahtirit, AKR-ja ka dënuar "thirrjet për vëllavrasje", deklarim që ka bërë pikërisht kreu i komunës së Mitrovicës së Jugut. 

“Thirrjet për vëllavrasje dhe për kryengritje kundër shumicës parlamentare janë të rrezikshme, shkojnë kundër kulturës politike dhe vlerave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj që kanë luftuar me dekada për një vend që është demokratik, i lirë dhe që respekton vullnetin e lirë dhe fjalën e lirë të të gjithëve”, ka thënë AKR-ja në reagimin e saj dërguar mediave.

AKR thotë se do të mbështesë shumicën në Kuvendin e Kosovës që kërkon një zgjidhje që siguron stabilitet, unitet dhe respekt të vullnetit të qytetarëve të Kosovës “për të ruajtur aleancat strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët kryesorë evropianë të Kosovës”.

“Qytetarët e Kosovës kanë treguar tradicionalisht përafrim dhe respekt me kushtetutën dhe sundimin e ligjit dhe këto thirrje për dhunë dhe urrejtje nuk u përkasin qytetarëve të Kosovës dhe vlerave të tyre”, përfundon reagimi i AKR-së.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës para pak kohësh bëri të ditur se ka intervistuar kreun e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak se dyshohet të ketë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Ndërkaq, në një postim në faqen e tij në Facebook, Bahtiri ka kërkuar falje për deklaratën duke thënë se ajo është nxjerr nga konteksti.