1 perditesime
19:54

BE-ja ndihmon Kosovën me afër 70 milionë euro për t’u përballur me pasojat e koronavirusit

Bashkimi Evropian do të ndihmojë Kosovën për t’u përballur me betejën ndaj koronavirusit dhe me pasojat socio-ekonomike nga kjo krizë me mobilizimin e një shume prej afër 70 milionë euro.

Për këtë Komisioneri i BE-së për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhelyi i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Ai në këtë letër njofton për masat që është duke ndërmarr BE-ja si dhe shqyrtimin e mundësive që në këto masa të përfshijë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton KOHA.

“Ne jemi duke shikuar në mënyrë intensive se si ta asociojmë Kosovën dhe partnerët tjerë në nismat që janë duke marrë nga BE-ja në përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit, sikur edhe si t’i ndihmojmë në mënyrën më të mirë për të ulur pasojat socio-ekonomike. Sa i përket qytetarëve të rajonit që kanë mbetur në BE, Komisioni Evropian është duke diskutuar me shtetet anëtare rreth qytetarëve të vendeve të treta që e kanë gjetur veten me qëndrim të tejkaluar në vendet e Schengenit si rezultat i restrikcioneve të udhëtimit”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar se Komisioni Evropian me ndihmë imediate mbështet sistemin e shëndetësisë në Kosovë deri në 5 milionë euro.

Do të mobilizohen edhe 50 milionë euro nga programet për vitin 2019 dhe 2020 për të ndihmuar Kosovën që të përballet me pasojat socio-ekonomike. Edhe 13 milion euro do të ndahen për buxhetin e Kosovës për të ndihmuar likuiditetin.

Për tërë Ballkanin Perëndimor, BE-ja do të mobilizojë 38 milion euro si ndihmë e menjëhershme për sistemin e shëndetësisë dhe 373,5 milionë euro për të zbutur pasojat socio-ekonomike.

Komisioneri i BE-së ka thënë se do të mobilizohen edhe institucionet tjera ndërkombëtare për të ndihmuar rimëkëmbjen pas krizës dhe në rastin e Kosovës po punohet ngushtë edhe me zyrën në Prishtinë. Ai ka përfunduar letrën me porosinë se “duke punuar së bashku, do të dalim nga kjo krizë së bashku edhe më të fortë”.

16:40

​BE-ja alokon 38 milionë euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka konfirmuar se Bashkimi Evropian ka alokuar 38 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Derisa është paraparë të alokohen edhe 373 milionë euro për rimëkëmbje socio-ekonomike, transmeton KOHA.

“Iu kam shkruar kryeministrave të partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor për t’iu konfirmuar se ne jemi përkrah rajonit në luftën ndaj koronavirusit. Ne po i alokojmë 38 milionë euro për mbështetje të menjëhershme të sektorit të shëndetësisë dhe parashihen të alokohen mbi 373 milionë euro për rimëkëmbje socio-ekonomike”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.