Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, procesi mësimor ka vazhduar normalisht të enjten.
Në këto komuna nuk është duke u zbatuar vendimi i Qeverisë, i marrë të mërkurën për ndërprerje të procesit mësimor si masë parandaluese ndaj koronavirusit, raporton KP-ja.
KP-ja ka qëndruar të enjten nga orët e hershme të mëngjesit në atë pjesë dhe sipas komunikatës, është penguar vazhdimisht në kryerjen e punës, ndërsa askush nga udhëheqësit e institucioneve arsimore nuk ka dashur të flasë për këtë temë.
“Ik në Prishtinë merr pamje, se ta thyejmë kokën me gjithë atë kamerë, ne dëgjojmë presidentin Vuçiq çfarë na thotë, dëgjojeni edhe ju, mbylle kamerën nëse do të mbetesh gjallë”, ishin vetëm disa nga fjalët kërcënuese të drejtuara ndaj ekipit të KosovaPress, nga persona të sigurimit dhe të punëtorëve të shkollave të ndryshme në veri.
KP-ja ka provuar të kontaktojë disa herë edhe me drejtoreshën e Arsimit paralel në veri, Jasmina Dediq, që është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, por deri në mesditë ajo nuk ka qenë në zyrën e saj.
Në Kosovë është ndërprerë procesi mësimor deri më 27 mars, ndërkohë në Serbi po vazhdon mësimi, megjithëse deri më tash janë raportuar 19 persona si të infektuar me koronavirus.