Arbëri

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, PDK-ja thotë se e bojkotoi për shkak të Osmanit

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku pritet të diskutohen propozimet për formimin e komisioneve parlamentare.

Kjo është mbledhja e parë që po drejtohet nga kryepaelamentarja, Vjosa Osmani, derisa këtë mbledhje e bojkotoi Partia Demokratike e Kosovës.

Bedri Hamza i PDK-së, tha se Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendim të bojkotojë mbledhjen e Kryesisë Kuvendit, si reagim ndaj veprimeve të kundërligjshme të Keryeparlamentares Vjosa Osmani me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, tha në konferencë për media në Kuvend se "koalicioni Vetëvendosje-LDK-Lista Srpska e ka filluuar keq punën dhe sjelljen institucionale".

“Unë e kuptoj se njerëzit kanë nevojë të inspirohen, por për gjëra të tilla janë ambientet dhe hapësirat private. Në institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj. Fotografia e presidentit Rugova është në hapësirat e Kuvendit dhe gjatë udhëheqjes së Kuvendit nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është trajtuar me kujdes. Në situatën në të cilën ndodhemi tani, proceset të cilat janë përpara, vlerësojmë se duhet të ketë kohezion të brendshëm. Ne besojmë që opozita e ka vendin në Kuvend. Është mirë për vendin por është mirë edhe për pushtetin. Ndërsa veprimet e zonjës Osmani, opozitës ia pamundësojnë këtë dhe e largojnë nga institucioni. Pra, si rezultat i këtij veprimi të kundërligjshëm, ne si partia më e madhe opozitare, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Hamza.

“Kërkojmë që fotografia zyrtare e Presientit të vendit z. Hashim Thaçi, të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe zonja Osmani të ndalojë veprimet që nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat e pamundësojnë opozitën të jetë në Institucione dhe të kontriubojë në rolin e saj që e ka të drejtë dhe obligim”, tha Hamza.

Kuvendi i Kosovës ka katër komisione të përhershme siç janë ai për Buxhet e Financa, ai për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi si dhe Komisioni për Integrime Evropiane.

Ndërsa deri më tani kanë qenë 12 komisione të tjera funksionale.

Image