Arbëri

Borrelli nesër në Prishtinë

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka konfirmuar se Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të qëndrojë nesër në Kosovë. Ndërkaq, pasnesër, Borrelli do të vizitojë edhe Serbinë.

Siç mëson KTV-ja, Borrelli vizitën do ta nisë në Prishtinë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në orën 12:00. Më pas, ai do të zhvillojë takim edhe me partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

Borrelli, mësohet se do të ketë edhe vizita tjera për çështje tjera.

Ditë më parë, zëdhënësi Peter Stano tha se kjo vizitë është shenjë e përkushtimit të shefit të diplomacisë së BE-së ndaj dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Josep Borrell, ditë më parë në Berlin, zhvilloi takime me zyrtarë gjermanë, teksa në agjendën e tij ndodhej edhe një bisedë me emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas zëdhënësit të Borrellit, gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe Beograd do të shqyrtohen mundësitë e rifillimit të dialogut, i ndërprerë në nëntor të 2018-s, kur Kosova vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.