Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, do të thërrasë një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e Dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas njoftimit të BE-së presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Takimi me tyre i cili pritet të ndërmjetësohet nga Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, thuhet se do të zhvillohet duke filluar nga ora 18:00.
“Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell thuhet se do të bëjë një deklaratë për media në fund të takimit.