LDK-ja sërish shqyrton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen Foto: Alban Bujari / KD

Mustafa: Deri në fund të javës të arrihet marrëveshja, ose të konstatohet që s’ka kushte për marrëveshje

21 January 2020 15:30
17:12

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit të kryesisë së partisë, ka thënë se deri në fund të javës duhet të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me VV-në, ose të konstatohet se s’ka kushte për t’u arritur.

“Të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre, neve me 28 dhe VV-së me 29 deputetë. Kemi dhënë një propozim që mendojmë se është i balancuar dhe VV-ja ta duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë. Të ulemi dhe të bisedojmë dhe ato të kenë një përfundim sa më të shpejtë, deri në fund të kësaj jave. Ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte të bëhet. Marrëveshja që është në dobi të qytetarëve dhe vlerëson peshën politike”, ka thënë kreu i LDK-së pas takimin me kryesinë e partisë, raporton Koha.net.

Në lidhje me takimet me kreun e VV-së, Albin Kurtin, Mustafa tha se “nuk kemi qenë jashtë komunikimit porse qëndrimi jonë është që marrëveshjen ta përfundojnë ose që kontaktet tona të japin rezultatin që do të jetë i dukshëm”.

17:02

LDK-ja s’tërhiqet nga oferta e fundit që ia bëri VV-së

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka thënë se marrëveshja e fundit e propozuar nga LDK-ja, e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve dhe garanton barazi në përfaqësimin institucional, raporton Koha.net.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës trajtoi situatën politike pas mandatimit nga ana e Presidentit të kandidatit për Kryeministër. LDK-ja vlerëson që vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike, meqë tashmë implementimi i vullnetit politik të qytetarëve, shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, në bazë të dispozitave kushtetuese, është i afatizuar. LDK-ja, edhe një herë, shpreh vullnetin për marrëveshje politike të balancuar me Lëvizjen Vetëvendosje, që do të reflektonte në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Kryesia e LDK-së konsideron që marrëveshja e propozuar nga Ekipi negociues i LDK-së, e mbështetur në orientimet e Këshillit të Përgjithshëm, e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve, garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar, që janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve dhe për demokracinë në vend. LDK-ja fton Lëvizjen Vetëvendosje, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për të formuar institucionet e reja, që të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të arritur marrëveshjen me LDK-në”, tha zëdhënësi Mustafa para mediave.

16:29

Mustafa: Po përballemi me presione për të arritur koalicionin me VV-në

Gjatë ditës së sotme, LDK-në e kanë vizituar ambasadorët e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, Philip Kosnett respektivisht Nicholas Abbott.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimeve me diplomatët amerikanë e britanikë, ka deklaruar se po përballen me presione të mëdha për arritjen e koalicionit me VV-në.

15:30

LDK-ja sërish shqyrton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen

Lidhja Demokratike e Kosovës po mbanë një takim të Kryesisë ku po diskutohet për mundësinë e një koalicioni të mundshëm me Vetëvendosjen.

Pas përfundimit të takimit, kreu i partisë Isa Mustafa ka paralajmëruar një konferencë për media, raporton Koha.net.

Dje presidenti Hashim Thaçi e ka mandatuar për kryeministër të vendit Albin Kurtin, i cili ende nuk ka arritur ta siguroj një marrëveshje për koalicionin qeverisës.

Kanë mbetur edhe 14 ditë afat kushtetues, përgjatë të cilave Kurti duhet të tentoj të arrijë marrëveshje me LDK-në.

Takimet ndërmjet të dy subjekteve janë ndërprerë prej afro dyjavësh.

LDK-ja po insiston për një ndarje të ekuilibruar të pushtetit duke synuar ta marrë timonin e Kuvendit të Kosovës, të cilën pozitë aktualisht e mbanë Glauk Konjufca i VV-së. Gjithashtu ky subjekt po insiston që ta ketë të drejtën e propozimit të një kandidati për kryetar të ri të Kosovë më 2021, porse ende nuk e ka një emër konkret.

Kurse VV-ja po refuzon ta tërheqë Konjufcën nga ky post, sikurse po kërkon nga LDK-ja emrin e kandidatit të mundshëm për president.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Marjan23/01/2020 10:00

Nuk po e kuptoj për kend është ky ultimatum;-) Po ju jeni pala e dytë apo ?

Shto koment

Të ngjashme