Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tre peshq mbi 40 kilogramë ngordhin në Badovc, ngrihen dyshime për gjendjen e ujit

Peshku i ngordhur në Liqenin e Badovcit

Të paktën tre peshq të mëdhenj të llojit Ballgjër janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badovcit, për çka shoqata e peshkatarëve ka ngritur shqetësime për gjendjen e mjedisit ujor. 

Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”, e cila ka njoftuar se gjatë së shtunës ka pranuar informacione nga terreni për praninë e peshqve të ngordhur.

Sipas shoqatës, dy prej peshqve të ngordhur vlerësohet se kanë peshë rreth 40 kilogramë secili, ndërsa i treti kalon 50 kilogramët.

“Për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të favorshme të shiut gjatë mbrëmjes, puna në teren është ndërprerë përkohësisht. Inspektimi dhe verifikimi i mëtejshëm do të vazhdojë nesër për të konstatuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim. 

Sipas “Krapit”, rrethanë shqetësuese është edhe fakti se peshqit e këtij lloji zakonisht qëndrojnë në ujëra më të thella dhe nuk frekuentojnë zonat e cekëta.

Shoqata ka theksuar se vetëm tri ditë para gjetjes së peshqve të ngordhur, njëri prej tyre ishte filmuar i gjallë nga një peshkatar në një zonë ku thellësia e ujit ishte rreth një metër.

KRU “Prishtina”: Uji nga Badoci, i pijshëm dhe i sigurt për konsum

1 muaj më parë / 21 sht 2026 15:50
Liqeni i Badocit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se pas shqetësimeve të ngrita për cilësinë e ujit në Badoc, uji nga ky liqen është i pijshëm dhe i përshtatshëm për konsumim. 

Në njoftimin e lëshuar nga KRU “Prishtina” thuhet se analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit kanë treguar cilësi brenda standardit të ujit të pijshëm.

“Bazuar në analizat e realizuara, uji nga Badoci është i pijshëm dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor (si në ujin e trajtuar po ashtu edhe në ujin e patrajtuar në liqe). Analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit realizohen në mënyrë të rregullt nga laboratori i akredituar i KRU "Prishtina", me qëllim të monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe garantimit të sigurisë për konsumatorët. Analizat fiziko-kimike te ujit patrajtuar (Aeratorit) dhe ujit të trajtuar të datës 21.09.2026 janë brenda standardit për ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.