Arbëri

Anëtari i Nismës ia kujton Kurtit historinë e Kennedyt: “Ta lëshojë Kosovën, ose mund të vritet”

Kandidati i Nismës Socialdemokrate për deputet të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Hoti, ka thënë se liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, i kanë mbetur dy rrugë: “ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka bërë një krahasim mes presidentit të vrarë amerikan, John Kennedy dhe Albin Kurtit, duke thënë se ndonëse populli e deshi të parin për udhëheqës të shtetit, nuk ishte në interesin e shtetit që ai të ishte president, kurse për Kurtin ka thënë se populli “ndoshta” e do, “por nuk është interes i shtetit që ky të jetë kryeministër”.

“John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër”, tha ai.

Liderit të Vetëvendosjes, Hoti i la dy rrugë: “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Image