Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​2007 raste me COVID-19 për një javë në Kosovë

2007 raste me COVID-19 janë regjistruar javën e fundit në Kosovë.

Gjatë javës janë regjistruar tri vdekje të lidhura me koronavirusin. Të tri vdekjet janë regjistruar të shtunën. Ndërkaq në nivel vendi janë 2169 raste aktive.

Javëve të fundit ka pasur shtim të rasteve me COVID-19 në Kosovë, derisa numri i vaksinimeve mbetet i vogël. Nga e hëna në të dielën janë vaksinuar 440 persona.

Gjatë javës e premtja ka shënuar numrin më të madh të rasteve me 407.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë bërë thirrje në vazhdimësi për vaksinim dhe rritje të kujdesit.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin, të zbatojnë masat në fuqi kundër COVID-19, të përditësuara së fundi më 30 prill 2022 dhe t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim kundër COVID-19, duke përfshirë edhe marrjen e dozës së katërt, që është lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më parë”, thuhet në njoftimin e MSH-së, para dy ditëve.