Arbëri

60% e fëmijëve thonë se kanë përjetuar dhunë fizike a psikologjike së fundmi

Ndonëse është 30-vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve, këta fëmijë të komunitetit rom, ashkali e egjiptas në Fushë Kosovë, të cilët duhej të gëzonin të drejta të barabarta me bashkëmoshatarët e tjerë, po qëndrojnë jashtë objekteve shkollore.

Ndërsa, të tjerë fëmijë që u mohohen të drejtat e garantuara me këtë dokument, vazhdojnë të kërkojnë lëmoshë në gjithë vendin, raporton KTV.

Derisa prindërit thonë se duhet edhe më shumë interesim nga institucionet për fëmijët, sidomos ata të komuniteteve jo-shumicë, shprehen se në çdo mënyrë mundohen t’ua sigurojnë atyre shkollimin.

Por, sipas organizatës “Ballkan Sunflowers Kosova”, numri i fëmijëve që braktisin shkollën ka rënë dukshëm nga viti 2008, sidomos në Fushë Kosovë.

Shqetësim për gjendjen e fëmijëve në Kosovë dhe mosrespektim të të drejtave të tyre kanë shprehur edhe zyrtarë të UNICEF-it, por edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Shumë fëmijë po kryejnë punë në rrugë, por edhe Kosova nuk është e përjashtuar nga ky fenomen, por gjithashtu shumë fëmijë janë viktima të dhunës në shtëpi. I bëj thirrje Qeverisë që të respektojë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve që është miratuar këtë vit. Kosova ka të rinj të cilët janë të njohur si Dua Lipa , Rita Ora , Majlinda Kelmendi , Uta Ibrahimi , Nora Gjakova dhe të gjitha këto janë vajza që ne duhet t’i marrim si modele që shoqëria të zhvillohet”, ka thënë Natalyia Apostolova-Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në anën tjetër, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë, ka kërkuar që urgjentisht të respektohet Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, i miratuar për herë të parë tek para rreth 4 muajve.

Sipas të dhënave të KOMF-it, 6.8% e fëmijëve në Kosovë punojnë në kushte të rrezikshme, ndërsa 61.4% e fëmijëve kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike në muajt e fundit.