Arbëri

Haradinaj: Miratimi i rezolutës për vëllezërit Bytyçi mesazh për Serbinë, rruga e vetme është pranimi i fajësisë

Foto: Koha

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se miratimi në mënyrë unanime i rezolutës për vëllezërit Bytyçi, nga Kongresi Amerikan, është një lajm i mirë, jo vetëm për familjen e tyre por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.

Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.

Haradinaj shkruan në facebook se “Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfishtë që i bëhet familjes Bytyçi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri”.

LEXO EDHE: Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutë për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

“Kjo rezolutë, e miratuar nga ShBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon. I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, që ta pranojë këtë realitet dhe mos të fshehin faktet dhe kriminelët, por të distancohen nga ta dhe t’i hapin rrugë drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo edhe:Thaçi mirëpret rezolutën e miratuar për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi