Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve por edhe e mungesës së vullnetit të Serbisë për përgjegjësi për krimet e kryera, ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti, në 27 vjetorin e vrasjes së vëllezërve shqiptarë nga Amerika, Yll, Agron e Mehmet Bytyqi.
Në një tubim përkujtimor, Kurti ka thënë se historia e vëllezërve Bytyqi është histori e atdhedashurisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë 23 qershor 1999, tre vëllezërit po u ndihmonin një familjeje rome të udhëtonte nga Prizrenit drejt kufirit me Serbinë. Gjatë udhëtimit u arrestuan nga policia serbe e në burg u vranë. Gjatë paraburgimit ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore. Vëllezërit Bytyqi kanë qenë shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Vëllezërit Bytyqi kishin lënë SHBA-në ku jetonin për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre. SHBA-ja ka akuzuar në vazhdimësi Serbinë se ata ishin ekzekutuar, qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine.
Kurti në përkujtim ka thënë se kalimi i kohës nuk e shuan detyrimin për drejtësi e se koha po e bën edhe më të rëndë barrën e pandëshkueshmërisë.
“Republika e Kosovës beson se paqja e qëndrueshme dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe popujve të rajonit mund të ndërtohen vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë”, ka thënë Kurti. “Kur kujtojmë Yllin, Agronin dhe Mehmetin, ne kujtojmë çmimin e lartë të lirisë që gëzojmë. Por njëkohësisht i kujtojmë vetes se liria duhet të ndërtohet çdo ditë: në institucione demokratike, me sundim të ligjit, me barazi para ligjit, me ushtri të fortë, me respekt për çdo qytetar dhe me mbrojtje të dinjitetit të çdo njeriut që lulëzon dhe ka mundësi për ta rritur mirëqenien e tij e të familjes së tij. Kjo është mënyra më e denjë për t’i nderuar ata dhe për t’i jetësuar idealet e dëshmorëve”.
Kurti ka thënë se Kosova i është mirënjohëse SHBA-së që kërkon vazhdimisht drejtësi për vëllezërit Bytyqi. “Ky angazhim është i rëndësishëm për familjen e tyre, por edhe për parimin themelor se krimet e rënda nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi”.
Kurti ka thënë se Kosova zotohet se do të kërkojë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë, në ndëshkim edhe të urdhërdhënësit e edhe ekzekutorëve.