Tre muaj pasi e pezulloi nga puna, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka kthyer Ferit Idrizin në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore. Vendimin e ka marrë Komisioni Disiplinor i kësaj ministrie më 10 shtator.
Në qershor të këtij viti, Idrizi e kishte denoncuar ministrin Shyqiri Bytyqi në polici për kërcënim fizik. Të nesërmen, MASHT-i e kishte pezulluar për 3 muaj me pagesë nga puna. Kërcënimi kishte ndodhur, meqë Idrizi kishte refuzuar ta nënshkruante një opinion ligjor të cilin e konsideronte të jashtëligjshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.
Opinionin e kishte kërkuar Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila donte sqarimin e përgjegjësive të Bordit të Agjencisë, si dhe të Komisionit të Ankesave të AKA-së. Kjo, pasi komisioni i kësaj agjencie kishte filluar t’i hidhte poshtë vendimet për mosakreditim të programeve studimore që i merrte Bordi i Agjencisë.
Opinioni ligjor nuk ishte shkruar nga Departamenti i Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore, por nga kabineti i ministrit. Pasi Idrizi kishte konstatuar se dokumenti nuk bazohet në ligj, kishte refuzuar ta firmoste. Për këtë ishte kërcënuar nga ministri Bytyqi e më pas ishte pezulluar nga detyra.
Në vendimin e Komisionit Disiplinor të MASHT-it që e ka gazeta, është kërkuar të mos shqiptohet masë tjetër disiplinore ndaj Idrizit dhe ai të kthehet në pozitën e mëhershme... (shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)