S’ndalet Bytyqi, politizon edhe bordin e Universitetit publik në Ferizaj Foto: Koha

S’ndalet Bytyqi, politizon edhe bordin e Universitetit publik në Ferizaj

Edona Kutleshi Edona Kutleshi 11 September 2019 18:09

Ndonëse është në largim, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqi është duke vazhduar me emërime politike në bordet e Universiteteve publike.

Një ditë më parë ai ka emëruar 3 anëtarë në bordin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara (USHAF) në Ferizaj. Të emëruarit janë Samet Dalipi, Shaqir Ukshini dhe Fitore Neziri. Dy të parët janë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Samet Dalipi në zgjedhjet e 6 tetorit do të jetë kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ndërkaq, Shaqir Ukshini në korrik të këtij viti është larguar nga Partia Nisma Socialdemokrate dhe tashmë, siç ka mësuar Koha Ditore, është bërë pjesë e AAK-së. Ai është daja i anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Bajram Hasani.

E emëruara tjetër, Fitore Neziri punon në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe që nga qershori është anëtare e Komisionit për Sjellje dhe disiplinë në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK). Në këtë institucion për disa vite me radhë kishte ligjëruar ministri Bytyqi. Sipas Nezirit, në emërimin e saj nuk ka ndikuar fakti që Bytyqi ka punuar më herët në SCAAK.

“Ministri ka punuar para disa vitesh kurse unë jam zgjedhur në komision këtë vit. Nuk jam pjesë e asnjë partie politike”, ka thënë ajo.

Koha Ditore ka tentuar të marrë një qëndrim nga dy të emëruarit tjerë Samet Dalipi dhe Shaqir Ukshini por ata nuk kanë kthyer përgjigje. As ministri Bytyqi nuk është përgjigjur në lidhje me vendimin e tij.

Një javë më parë Bytyqi emëroi 2 anëtarë në bordin e Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan.

Njëri nga ta Ibrahim Kosumi siç ka mësuar “Koha Ditore” është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ndërkaq, e emëruara tjetër Violeta Abazi-Huruglica është e afërt e familjes së anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Bajram Hasani. Gazeta ka kërkuar një qëndrim nga Hasani në lidhje me ndikimin e tij në emërimet e fundit të Bytyqit por ai nuk është përgjigjur.

Ministri Bytyqi më 26 gusht dha dorëheqje nga partia Nisma Socialdemokrate derisa e akuzoi këtë parti për ndërhyrje në arsim. Vetëm pak ditë më pas, ju bashkua Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD). Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë në koalicion parazgjedhor.

Gjatë kohës sa ishte në Nisma, Bytyqi kishte bërë emërime të shumta politike nëpër bordet e Universiteteve publike, Ministrinë e Arsimit dhe shumë institucione tjera që veprojnë në kuadër të MASHT-it.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme