Arbëri

Mustafa, Kosnettit: Programi ynë qeverisë do ta përmbyllë dialogun me Serbinë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka nisur mandatin e tretë me një takim me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Në këtë takim, siç njofton LDK-ja, u diskutuan tema të rëndësishme për vendin, me theks të veçantë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe situata aktuale politike.

Mustafa thuhet ta ketë njoftuar Kosnettin për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se “Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë”.

“LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj”, citohet të ketë thënë Mustafa, raporton Koha.net.

Ndërsa, Ambasadori Kosnett, sipas njoftimit të LDK-së, theksoi se “është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës”.