8 perditesime
12:08

Mustafa: Procesi ka qenë krejtësisht demokratik - as që bëhet fjalë për koalicion me PDK-në

Kreu i ri i LDK-së, Isa Mustafa, lidhur me akuzat e ish-kryetarit të partisë, Fatmir Sejdiu, për manipulim të garës, ka thënë se “askush s’munet të manipulojë mbi 300 delegatë”.

“Nuk do të dëshiroja ta dëgjoja këtë nga një president. Mund ta quajmë si të duam, por procesi ka qenë krejtësisht demokratik. Askush nuk mundet me i manipulu mbi 300 delegatë”, deklaroi Mustafa.

Në lidhje me një marrëveshje të brendshme për kandidat për kryeministër dhe koalicioni potencial me PDK-në, Mustafa tha se “as që bëhet fjalë për koalicion me PDK-në”.

“Për kandidatin për kryeministër, vendos Këshilli i Përgjithshëm, tash nuk ka marrëveshje për kandidat”, deklaroi ai.

“Nuk shohim ndonjë zgjidhje tjetër, pos shpërbërjes së Kuvendit”, shtoi Mustafa.

11:19

Sejdiu i pakënaqur, Tërmkolli akuza të rënda ndaj Mustafës

Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka dalë i pakënaqur nga salla ku po mbahej mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Kjo pasi, siç tha ai, atij iu mohua kandidatura, ndërsa lëshoi akuza ndaj mënyrës se si është zgjedhur kryetari i ri.

Njëjtë ka vepruar edhe anëtarja Melihate Tërmokolli, e cila Mustafën e quan “njeri të Rrahman Morinës”.

“Është dasht të jeni brenda, kjo ndodh për t’i ikur përgjegjësisë para opinionit. Njerëzit nuk mund të shërohen lirshëm. Nuk kanë miratuar kandidaturën time, e kanë miratuar një tjetër. Në këtë mënyrë të punës, me këtë qasje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve, e kemi një shenjë të keqe për demokracinë në Kosovë. LDK-ja ka qenë dhe mbetët shtëpia ime”, u shpreh ai pasi doli nga salla.

Ai tha se me këtë veprim është sulmuar shpresa e ecjes së një subjekti politik.

“Kam tentuar ditët të fundit të kem kontakt me kryetarin rreth një konsensusi politik. Më ka pritur por nuk kam marr ndonjë përgjigje. Nënkryetarët nuk kanë dashur të dinë cila është ideja ime rreth një konsensusi politik”, theksoi më tej ai.

“Delegatët vendosin për kryetarin, sigurisht në këtë mënyrë ai (Mustafa) do të marrë mbështetjen e tyre”, deklaroi në fund ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se ka ndodhur një procedurë e cila as në komunizëm nuk na ndodh kështu.

“Madje kërkova edhe fjalën për një çështje normale, as ajo fjalë nuk m’u dha. Ndoshta nuk është e çuditshme sepse në krye të LDK-së e kemi njeriun që ka qenë ministër i Rrahman Morinës. Besoj që LDK-ja e vërtetë, Rugoviane, do të ecë përpara. Por me këta njerëz që e kanë okupuar LDK-në, nuk do të ecë përpara”, deklaroi ajo.

Tutje, Tërmkolli tha se iu pamundësua kandidimi Fatmir Sejdiut dhe theksoi se mund të ketë ndodhur “që i kanë frikësuar edhe delegatët”.

“Njerëzit ndoshta janë kushtëzuar edhe me jetë dhe vende pune”, theksoi ajo.

11:00

Mustafa rizgjidhet kryetar i LDK-së

Isa Mustafa është rizgjedhur me aklamacion kryetar i LDK-së në Kuvendin e IX-të Zgjedhor të kësaj partie. 

Kjo pasi pretendenti tjetër për kryetar, ish-kryetari Fatmir Sejdiu, ka marrë vetëm 78 vota në të delegatëve.

Kjo ka bërë që Sejdiu të mos jetë kandidat, dhe rrjedhimisht, Mustafa mbeti i vetmi në garë.

Koha.net mëson se ish-kryetari Sejdiu ka lëshuar sallën pasi nuk mori vota të mjaftueshme për të të marrë statusin e kandidatit, që duhet të jetë 50% plus 1 votë.

10:56

Osmani: Nuk do të bëhemi copë-copë, në zgjedhje duhet të fitojmë

Vjosa Osmani ka qenë një nga emrat më të lakuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të LDK-së si kandidate për kryetare, por sot ajo deklaroi se veprimet e saj do të jenë vetëm drejt bashkimit.

Pak para se të fillojë kuvendi i sotëm zgjedhor, Osmani shprehur nevojën që të ndryshohen disa nene në statutin e LDK-së, sidomos ai që i kërkohet një delegati 50% + 1 vota që të hyjë në garë për kryetar të partisë.

“Mesazhi që unë do të jap sot me veprimet e mija do të jetë mesazh i përbashkimit dhe unifikimit të të gjithëve. Sapo të zgjedhim strukturat e reja veprimi i parë duhet të jetë ndryshimi i statutit të LDK- së, duhet të largohet norma që kërkohet 50% +1 , sepse është jo demokratike. Prandaj të gjithë bashkë do të duhet qe pas atyre ndryshimeve t’i kthehemi bazës, t’i kthehemi anëtarësisë dhe ta miratojnë parimin një anëtar një votë”, deklaroi ajo, transmeton kosovapress.

E pyetur se a do të kandidojë për kryetare, Osmani tha se veprimet e saj sot do të jenë vetëm drejt bashkimit dhe se nuk do t’ua bëj qejfin atyre që presin që në LDK të bëhen copë-copë.

"Të gjitha përpjekjet e mija sot do të jenë vetëm në drejtim të bashkimit dhe unifikimit sepse nuk e kam ndokënd t’ua bej qefin atyre që po presin që ne të bëhemi copë mes veti", tha ajo.

Në opinion u spekulua se Osmani mund të jetë edhe kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, por ajo tha se këto vendime i takojnë strukturave.

Ajo tha se nuk i ka kërkuar askujt ndonjë pozitë në 20 vite në LDK, por theksoi se në zgjedhjet nacionale duhet më patjetër të fitojnë.

"Asnjëherë deri sot në këto dy dekada që jam pjesë e LDK-së nuk i kam kërkuar dikujt në LDK apo jashtë saj ndonjë pozitë, e nuk do ta bëj këtë as tash e tutje. Vendimet sa i përket qeverisë së ardhshme do të merren kur do të zgjidhet strukturat e LDK-së por siç e thash partia ka nevojë për stabilitet, por në zgjedhje duhet të fitojmë", tha Osmani.

10:35

Kuvendi zgjedhor i LDK-së mbyllet për media, Mustafa me mesazh për rivalët politikë

Kryetari aktual i LDK-së Mustafa, në fjalimin e tij ka bërë një përmbledhje të periudhës së tij si kryetar i kësaj partie.

Anëtarësimin e partisë në EPP, qeverisjen sipas tij pa afera korruptive të vendit, faktin që tani kanë numrin më të madh të deputetëve në kuvend dhe që qeverisin edhe në disa prej komunave më të mëdha të vendit, raporton KTV.

Image

Përplasjet në degë e nëndegë, Mustafa i ka konsideruar si përplasje të vogla, e të cilat i kanë menaxhuar me kujdes.

Nga ky kuvend, Mustafa, tha se LDK do të dal më e fortë.

"Shihemi në zgjedhje" ka qenë porosia e tij për rivalët politikë, duke shtuar se është koha që LDK, të rimarrë fatin e Kosovës në dorë.

Pas fjalimit të Mustafës, punimet e kuvendit zgjedhor janë mbyllur për media.

10:26

Mustafa: Është koha që LDK-ja ta marrë në duar fatin e Kosovës

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbajtur fjalim hyrës në Kuvendin zgjedhor që tashmë ka filluar.

Ai tha se është koha që LDK-ja të marrë në duar fatin e Kosovës.

Image

Mustafa tha se vetëm një fitore e madhe e LDK-së ia kthen shpresën Kosovës. Ai gjithashtu gjatë fjalimit të tij hyrës shtoi se partia e tij është demokratike dhe me këtë rast ka të drejtë çdonjëri të kandidojë.

Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve si dhe kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Image
09:55

Pikat e rendit të ditës në Kuvendin zgjedhor të LDK-së

Pas pak pritet të nisë Kuvendi zgjedhor i LDK-së, ku pika e parë e rendit të ditës është zgjedhja e trupave punues dhe aprovimi i Rregullores së Punës së Kuvendit.

Pikë e dytë pritet të jetë zgjedhja e Komisionit Statutar, transmeton Koha.net.

Pikë e tretë e rendit të ditës në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do të jetë zgjedhja e Kryetarit të partisë.

Dhe pika e katërt, zgjedhja e Këshillit të Përgjithshëm.

Image
09:38

Kuvendi zgjedhor, mbërrijnë delegatët e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës pas pak nis kuvendin e saj të nëntë zgjedhor.

Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve si dhe kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Image

Delegatët tashmë kanë filluar të mbërrijnë në Hotel “Emerald” aty edhe ku do të mbahet kuvendi.

Regjistrimi i delegatëve do të vijojë deri në ora 10:00 dhe më pas pritet të fillojë punimet kuvendi ku do të zgjidhet kryetari dhe organet e reja të LDK-së.

Votimi do të jetë i fshehtë.

I pranishëm është edhe kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa.

Image
08:10

LDK-ja sot zgjedh kryetarin

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e IX Zgjedhor.

Gjatë punimeve të Kuvendit do të votohet për kryetarin e partisë. Në dy mbledhjet e mbajtura gjatë dy ditëve të kaluara, kryesia e LDK-së nuk ka arritur marrëveshje për një kryetar konsensual.

LEXO EDHE: LDK-ja e mban Kuvendin zgjedhor pa prani të mediave

Burime brenda kryesisë së LDK-së, bëjnë të ditur se Isa Mustafa do të jetë kandidati konsensual që ta vazhdojë mandatin përsëri në krye të partisë.

Kuvendi mbahet në Hotel “Emerald”. Regjistrimi i pjesëmarrësve fillon nga ora 09:00, kurse punimet e Kuvendit fillojnë në ora 10:00.