Kanë nisur përplasjet paraelektorale të eksponentëve politikë në vend.
Facebooku mbetet arena ku politikanët përplasen në distancë.
Ka qenë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ai që ka akuzuar PDK-në se po ua ka frikë zgjedhjeve.
“Zgjedhjet u japin frikë deri në palcë. Vullneti i qytetarëve i tmerron. Sepse e dinë se kjo është hera e fundit që i rrinë Kosovës përmbi. Kaq. E pat. Njëzet vjet kapje po marrin fund - ma në fund”, ka shkruar Abdixhiku.
“Prandaj dhe Hashimi i PDK-së nuk cakton datë. Qeveri e rënë, e dorëhequr - dhe asnjë fjalë. Prandaj dhe Kadria i PDK-së nuk thërret seancë. Në blerje të vazhdueshme kohe, për aq sa mund të zgjasë. Prandaj dhe një ministër PDK-je, në cektësinë e diturisë që ka, thotë se zgjedhjet s’mund të mbahen sepse për to buxhet nuk ka. Por kishte për autostradë. Kishte për kontrata korruptive 50 e sa milionëshe. Kishte për pagat e tyre me rritje, për armatën e badihavgjinjëve, për ata dhjetëra zëvendësministra, koordinatorë, asistentë koordinatorësh e ku me ditë çka. Natyrisht se Kosova buxhet ka. Ka dhe një rezervë shtetërore mu për raste si këto”, ka shtuar më tej ai.
Edhe
Abdixhiku: 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president
Abdixhiku ka thënë se Kosova s’ka veçse Qeveri.
“S’ka sot zot të mbarë shtëpie që shtetin e trajton jo si mjet ‘zhbirje’ - kapje deri në sekondin e fundit - por si përgjegjësi. Zgjedhjet janë veçse fillimi. Asnjë kalkulim i mbrapshtë s’mund të ndalë rënien e kapjes dhe fundin e PAN-it”, ka thënë Abdixhiku.
E s’ka vonuar shumë përgjigja nga shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi.
“Një piun i Isa Mustafës, që partia e vet s’e lejoi as të kandidohet në ndonjë degë dhe të cilin shumica e LDK-së e shohin si profiter ordiner, bën mirë ta shikojë oborrin e vet të kontaminuar, sepse kot bën ‘ciu ciu’ kur flet për PDK-në. Zgjedhjet, për PDK-në, janë jo vetëm të pashmangshme, por të domosdoshme, për t’i dhënë Kosovës një qeveri me legjitimitet dhe me vizion të qartë zhvillues dhe perëndimor. Ndërsa, profiterët e brezit të dështimit, që politiken e kanë veç rrugë tranzite, pas zgjedhjeve, mund ta përcjellin vetëm si vrojtues të (pa)interesuar punën e pakrahasueshme që do ta bëjë qeveria e udhëhequr nga PDK”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe
Abdixhiku negocion me Kurtin, deputetë të LDK-së e akuzojnë
Ai ka thënë tutje se “frustrimet që i kanë me partine e tyre ky grup i ‘jurishnikëve’ të ledhatuar të Isa Mustafës, të cilët garda e vjetër e LDK-së i shkeli në çdo hap të zgjedhjeve të tyre të brendshme, nuk shërohen duke u marrë me PDK-në”.
“Janë mësu në LDK me u rritë duke e sha PDK-në dhe lidershipin e saj, por kjo me s'ju funksionon. Shikojeni procesin e zgjedhjeve në PDK dhe krahasojeni atë me karriget fluturuese në LDK dhe e kuptoni saktë dhimbjen e tyre, por edhe dallimin mes nesh. Ne jemi të vendosur për jetësimin e ‘Dekadës së Re’ e ata ende janë në ‘Shekullin e Vjetër’, me të njëjtit njerëz, me të njëjtit kryetarë degësh, me të njëjtat pabesi në garën për kryetar partie e me të njëjtin mentalitet dhe pa hapësirë për ndryshim e për të rinj”, ka thënë më tej Krasniqi.