Gazetari Besnik Krasniqi nuk pret ndonjë ndryshim të madh nga Kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Krasniqi në “Konfront” të KTV-së thotë se LDK-ja është duke u thelluar nga kriza në krizë në 7 vjetët e fundit.
“Kuvendi i jashtëzakonshëm, që pritet të ndodhë qoftë këtë muaj apo fillim të gushtit, s’do të sjellë rehati në LDK. Sepse të tilla janë klanet, strukturat e ambiciet për të marrë kryesisht pozita të caktuara, qoftë për me përfituar apo diçka tjetër”, ka thënë Krasniqi. “...Një subjekt politik, që është në krizën më të madhe në historinë që prej themelimit të vetë, nuk mund t’i japë zgjidhje krizës politike në Kosovë që është prej shkurtit të vitit të kaluar”.
Krasniqi ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke pasur nisma nga degë të caktuara të partisë për shkarkim të tij apo kërkesa për dorëheqje, e duke e ditur se nuk e ka kontrollin e një pjese të madhe të deputetëve të zgjedhur nga kjo parti, i ka dhënë vetes drejtën për të negociuar marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen.
“Atëherë normalisht vijmë te këto motive për të kapur diçka pushtet në hapin e fundit të karrierës politike apo në rastin e Vjosës për të siguruar edhe për disa vite çfarëdo pozite”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk mund t’u merret mandati i deputetit emrave si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, që konsiderohen si “rebelët”.
Edhe
Vela: Kriza në LDK është shpërfaqur publikisht, as në PDK situata s’është më e mirë
“Ata do të mbajnë ato qëndrimet e tyre dhe sjellja do të jetë e tillë në Kuvend. Edhe koalicioni i mundshëm LDK-Vetëvendosje, e që do të jenë edhe komunitetet përjashtuar këtu Listën Serbe, nuk garanton evitimin e shkaktarit potencial të zgjedhjeve të ardhshme, që mund të jetë zgjedhja e presidentit. Edhe marrëveshja LDK-VV nuk ofron numra të deputetëve të nevojshëm në Kuvend që i binden qëndrimeve partiake me votuar cilindo kandidat”, tha Krasniqi.
Rreth 150 delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.
Kërkesa për votëbesim ndaj Abdixhikut, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit. LDK-ja ka dalë parti e tretë me më pak se 17 për qind të votave, që ia kanë siguruar 18 ulëse në Kuvend.