Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

A ka ende shpresë për marrëveshje politike? | Konfront

Krasniqi: LDK-ja në krizën më të thellë, s’mund t’i japë zgjidhje krizës politike në vend

33 min. më parë / 23 kor 2026 20:53
Besnik Krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi nuk pret ndonjë ndryshim të madh nga Kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Krasniqi në “Konfront” të KTV-së thotë se LDK-ja është duke u thelluar nga kriza në krizë në 7 vjetët e fundit. 

“Kuvendi i jashtëzakonshëm, që pritet të ndodhë qoftë këtë muaj apo fillim të gushtit, s’do të sjellë rehati në LDK. Sepse të tilla janë klanet, strukturat e ambiciet për të marrë kryesisht pozita të caktuara, qoftë për me përfituar apo diçka tjetër”, ka thënë Krasniqi. “...Një subjekt politik, që është në krizën më të madhe në historinë që prej themelimit të vetë, nuk mund t’i japë zgjidhje krizës politike në Kosovë që është prej shkurtit të vitit të kaluar”. 

Krasniqi ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke pasur nisma nga degë të caktuara të partisë për shkarkim të tij apo kërkesa për dorëheqje, e duke e ditur se nuk e ka kontrollin e një pjese të madhe të deputetëve të zgjedhur nga kjo parti, i ka dhënë vetes drejtën për të negociuar marrëveshje koalicioni me Vetëvendosjen.

“Atëherë normalisht vijmë te këto motive për të kapur diçka pushtet në hapin e fundit të karrierës politike apo në rastin e Vjosës për të siguruar edhe për disa vite çfarëdo pozite”, tha Krasniqi. 

Krasniqi thotë se në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk mund t’u merret mandati i deputetit emrave si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, që konsiderohen si “rebelët”. 

“Ata do të mbajnë ato qëndrimet e tyre dhe sjellja do të jetë e tillë në Kuvend. Edhe koalicioni i mundshëm LDK-Vetëvendosje, e që do të jenë  edhe komunitetet përjashtuar këtu Listën Serbe, nuk garanton evitimin e shkaktarit potencial të zgjedhjeve të ardhshme, që mund të jetë zgjedhja e presidentit. Edhe marrëveshja LDK-VV nuk ofron numra të deputetëve të nevojshëm në Kuvend që i binden qëndrimeve partiake me votuar cilindo kandidat”, tha Krasniqi. 

Rreth 150 delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Kërkesa për votëbesim ndaj Abdixhikut, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit. LDK-ja ka dalë parti e tretë me më pak se 17 për qind të votave, që ia kanë siguruar 18 ulëse në Kuvend.
 

Korqa: Zgjedhjet e reja më së paku iu konvenojnë LDK-së e Aleancës

50 min. më parë / 23 kor 2026 20:36
Burim Korqa

Analisti politik Burim Korqa ka vlerësuar se zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë asnjë partie politike, e sidomos Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.

Në “Konfront” të KTV-së, ai e ka cilësuar situatën aktuale politike “jo shumë negative” sa ishte pas zgjedhjeve paraprake. Sipas tij, tash Vetëvendosje është hapur për bisedime me parti tjera edhe pse i ka votat e mjaftueshme për Qeverinë.

Ai ka thënë se gjasat e vetme për koalicion janë VV-LDK sepse PDK-ja veçse është deklaruar për të qenë në opozitë.

“Krejt varet nga situata në LDK sa i përket një koalicioni të mundshëm. S’do të thotë që nëse s’mund të arrihet një marrëveshje për qeveri, të përjashtohet edhe një konsensus i përgjithshëm për presidentin. S’i konvenon asnjë partie të shkohet sërish në zgjedhje, e sidomos LDK-së që është në situatë shumë të pafavorshme, por në të njëjtën kohë edhe Aleancës duke marrë parasysh se nëse shkohet në zgjedhje në dhjetor – sipas të gjitha gjasave ndikimi i votës së diasporës mund të jetë i madh dhe ta rrisë daljen e partitë tjera të zvogëlohen në përqindje e të mos e kalojnë pragun”, ka thënë ai.

Liderët e LVV-së dhe të LDK-së janë takuar pas certifikimit të zgjedhjeve. Pasi të dy shprehën optimizëm dhe u zotuan për vazhdim diskutimesh për formim të institucioneve, në LDK u iniciua thirrja për një Kuvend të jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku. Ai e pezulloi procesin e negocimit me VV-në deri në mbajtjen e këtij kuvendi.

Të premten, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do ta bëjë publike datën për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Afati është deri më 7 gusht.

Jashari: Kësaj radhe, ndryshe nga herët e kaluara, s’po ka improvizime

57 min. më parë / 23 kor 2026 20:29
Arbër Jashari

Avokati Arbër Jashari vlerëson se kësaj radhe, ndryshe nga herët e kaluara, nuk po ka improvizime dhe te Lëvizja Vetëvendosje ka interesim për arritje të një marrëveshje fillimisht. 

Jashari në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Vetëvendosje është duke i pritur zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe që të sigurohet se është e mundur edhe zgjedhja e presidentit. 

“Çfarë po më pëlqen kësaj radhe, për dallim nga herët tjera, është se s’po ka improvizime. Si duket partitë politike, këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, është e interesuar që fillimisht të arrihet një marrëveshje. PDK-ja ka thënë që është në opozitë dhe e vetmja forcë politike që ka hyrë në negociata e ka qenë shumë e interesuar të bëjë marrëveshje apo koalicion politike ishte LDK-ja...VV-ja ka mundësi që me ta konstituojë Kuvendin e ta zgjedhë qeverinë, por po pret me shumë gjasë të reflektojë LDK-ja, t’i kryejë proceset që ka brenda saj dhe ta ketë të sigurtë edhe zgjedhjen e presidentit”, tha Jashari. 

Jashari ka thënë se nëse shkohet ndaras me zgjedhjen e qeverisë dhe të presidentit, pa pasur marrëveshje, atëherë do të ketë sërish krizë politike e zgjedhje.

Rreth 150 delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Kërkesa për votëbesim ndaj Abdixhikut, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit. LDK-ja ka dalë parti e tretë me më pak se 17 për qind të votave, që ia kanë siguruar 18 ulëse në Kuvend.

 

 

Alijaj: Prapë rrezikojmë “pat” politik

1 o. më parë / 23 kor 2026 20:22
Aliaj: Prapë rrezikojmë “pat” politik

Analisti politik Artan Alijaj ka thënë se situata politike rrezikon të kthehet sërish në pozitë “pat”.

Duke folur për pezullimin që Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka bërë diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve për shkak të ftesës për Kuvend të brendshëm, Alijaj ka thënë se kjo situatë është e pazakontë.

“E pazakontë sepse ka ardhur një kërkesë e tillë në momentin kur po diskutohej një marrëveshje e mundshme. Në anën tjetër, ende kemi kohë për formimin e Kuvendit e pastaj edhe për afatet tjera... Ajo që po shihet tash duket se kemi situatë ku prapë mund të vijmë në një ‘pat’ politik, ku prapë për shkak të proceseve të ndryshme mund të shkohet në zgjedhje prapë”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së.

“Pat” është term që përdoret në shah, kur një lojtar s’ka më lëvizje të lejuar dhe mbreti i tij është në shah – e loja mbyllet baras.